Abelard Tahiri (PDK) në mbledhjen e kryesisë, 17 janar 2022

PDK paralajmëron kallëzim penal ndaj ministrit Murati nëse nuk ekzekutohen pagat deri të enjten

Kryetari Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, nëse nuk ekzekutohen pagat për mësimdhënësit.

Tahiri ka thënë se PDK do të pres në një afat prej pesë ditësh për ekzekutimin e pagave.

“Ne do të presim një afat prej pesë ditëve që të ekzekutohen pagat, nëse brenda këtyre pesë ditëve, deri ditën e enjte nuk ekzekutohen pagat do të bëjmë kallëzim penal ndaj ministrit, sepse mosekzekutimi i pagave është vepër penale dhe ne në Prokurorinë Speciale do të bejmë kallëzim penal” – ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se ministri Murati nuk vepron mbi bazën ligjore.

“Ne kemi një ministër të papërgjegjshëm të Financave, shumë arrogant, të padijshëm që nuk funksionin mbi bazën ligjore por mbi teket e veta, me mbështetjen e kryeministrit” – ka thënë ai.

Shefi i deputetëve të PDK-së, tutje tha se kjo është mënyra më e keqe që mund të fillojë mësimi.

“Mësimdhënësit janë jashtëzakonisht të demotivuar, ofenduar, sulmuar nga mazhoranca, kryeministri, ministrat, dhe kjo është mënyra më e keqe të fillojë mësimi në një vend, do të duhej të fillonte mësimi më një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës” – ka thënë Tahiri.

Kurse, kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se Ligji mbi grevën nuk parasheh kompensim të grevistëve për ditët që nuk punojnë.

“Me Ligjin mbi grevën e përcakton saktë edhe kompensimin apo moskompensimin, me ligjin mbi grevën parashihet që punëtorët qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, ata të cilët janë pjesë e grevës së deklaruar, sipas rregullave të parapara me ligj, nuk kompensohen për ditët të cilat nuk janë në vendin e punës” – ka thënë Kusari-Lila.

E pyetur nëse ka gjasa që këtë muaj të mos ekzekutohen pagat, ajo ka thënë se këto pyetje duhet të drejtohen tek Ministria e Financave.

Në anën tjetër, ende nuk kanë dalë pagat e mësimdhënësve për muajin shtator.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com Reshit Kushaj, kryetar i Këshillit Qendror Grevist të SBAShK-ut.

“S’kanë dalë ende, por pritet me dalë” – tha ai.

Ndërkohë, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se është e padrejtë nëse atyre nuk u dalin pagat, pasi që ato kanë dalë për shërbyesit civilë, të cilët po ashtu kanë qenë në grevë.

Ekzekutimin e pagave për shërbyesit civilë, për KALLXO.com e konfirmoi edhe Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil, Mursel Zymberi. Ai tha se pagat për ta kanë dalë të premten.

Kuvendi i Kosovës të premten do të mbajë interpelancë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, për çështjen e ndalimit të pagave për grevistët.

Interpelanca është thirrur nga grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo interpelancë që ndërlidhet me vendimin e Muratit për ndalimin e pagave dhe sipas tij, presionin në pushtetin lokal gjatë grevës.

“Për AAK-në është jashtëzakonisht e rëndësishme pika e parë që ka të bëjë me interpelancën për ministrin Murati, që ndërlidhet me vendimin e tij arbitar për ndalimin e pagave, për presionin në pushtetin lokal gjatë grevës dhe për ndërhyrjen në autonominë e komunave në atë kohë” – ka thënë ai.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka pezulluar të shtunën grevën e përgjithshme pas më shumë se një muaji.

Mësimdhënësit ende në pritje të daljes së pagave