Kadri Veseli, Foto: PDK

PDK paralajmëron hetim parlamentar për rastin e vdekjes së aktivistit të LVV-së, Astrit Deharit

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të iniciojë komision hetimor parlamentar për zbardhjen e vdekjes se aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit.

PDK përmes një komunikate për media ka thënë se kjo është një nga temat më serioze me të cilën, sipas saj, është abuzuar shumë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Partia opozitare ka thënë se do ta trajtojë si një nga temat më urgjente në Kuvendin e Kosovës, përmes ngritjes së komisionit hetimor parlamentar.

“Partia Demokratike e Kosovës mirëpret interesimin, ndonëse me vonesë, të pushtetit të ri dhe mediave për zbardhjen e rastit së Astrit Deharit, pas paralajmërimeve të Kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës për zbardhjen e këtij rasti”, tha ai.

PDK-ja do t’i shkojë deri në fund secilës temë të përmendur në seancën e djeshme nga Kryetari Veseli.

“Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës ka treguar se ka dyshime serioze për rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit. Për këtë rast, duhet të shkojë dikush në burg; ose Albin Kurti, ose nomenklatura e atëhershme e pushtetit, një pjesë e së cilës është edhe sot në koalicionin qeverisës”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Të hënën, kreu i PDK-së gjatë seancës plenare ku pritej të votohej Qeveria Kurti iu ka referuar si “vrasje’ vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit.

Veseli ka thënë se si opozitarë do të kërkojnë përgjegjësi për temat më ndjeshme të Kosovës që nga paslufta, duke përfshi rastin e Astrit Deharit.

“Do të flasim edhe për vrasjen e Astrit Deharit, me emrin e të cilit keni abuzuar dhe akuzuar çdo kundërshtar politik, përfshirë këta që i keni në koalicion”, ka thënë Veseli.

Kjo parti gjithashtu ka kërkuar komision hetimor parlamentar edhe për organizatën “Syri i Popullit”.

Kadri Veseli për ‘Syrin e Popullit: Këta janë krahu i armatosur i Vetëvendosjes

Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në fillim të nëntorit të vitit 2016.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rastin e vdekjes së Deharit të cilat mund të i lexoni në këtë link.

Çka thotë raporti i autopsisë së tre mjekëve kosovarë për vdekjen e Astrit Deharit?

Kush është prokurori të cilit iu besua hetimi i rastit Dehari!