Mbledhja e kryesisë së PDK-së - Foto: PDK

PDK paditë ZRrE-në dhe inicion komision hetimor parlamentar

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka njoftuar se sot ka parashtruar padi kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), për aprovimin e tarifave të reja.

Sipas PDK-së, vendimi i ZRrE-së meriton shqyrtim gjyqësor në gjykatë edhe për faktin e mospërfshirjes së komunave veriore.

“Vendimi i ZRRE-së, meriton shqyrtim gjyqësor në gjykatën kompetente, pos tjerash, edhe për faktin e mospërfshirjes në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike – të katër komunave veriore, duke diskriminuar kështu qytetarët e pjesës tjetër të vendit”, njofton PDK-ja.

PDK gjithashtu ka thënë se mos përfshirja e këtyre komunave cenon sundimin e ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit shtetëror në veri.

“ZRRE, duke mos përfshirë në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike, katër komunat veriore, përveç diskrimimit mbi bazën e vendbanimit, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në cenimin e parimit të sundimit të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të shtetit”, shkruan PDK.

Tutje në komunikatë thuhet se grupi parlamentar i PDK-së gjithashtu ka parashtruar kërkesën për themelimin e komisionit parlamentar në të cilin  sipas PDK-së do të hetohen vendimet dhe mos veprimet e Qeverisë dhe institucioneve tjera në raport me menaxhimin e sektorit të energjisë.

“Vendimi i Partisë Demokratike të Kosovës për të paditur Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, vjen pasi Grupi Parlamentar ka parashtruar edhe kërkesën për themelimin e komisionit hetimor parlamentar, në të cilin do të hetohen vendimet, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë dhe institucioneve të tjera, në raport me menaxhimin e sektorit të energjisë, veçanërisht në muajt e krizës energjetike në të cilën u keqpërdorën dhjetëra miliona euro, pa plan, pa strategji, pa transparencë dhe në mënyrë të kundërligjshme”, ka deklaruar PDK.

Tri partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës më 9 shkurt 2022 kishin mbledhur 40 nënshkrime për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, debat parlamentar lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtimin e rrymës.

Me 20 vota pro, 42 kundër dhe një abstenim, rezoluta e propozuar nga partitë opozitare kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës.