PDK organizon tubim në një lokal në Drenas, nuk respektohen masat ndaj COVID-19

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një publikim në rrjetin e tij Facebook ka publikuar fotografi nga një ngjarje sot në nëndegën e PDK-së në Arllat.

Në publikimin e tij thuhet se ka pasur anëtarësime të reja në PDK, por në fotografitë e publikuara shihet grumbullim i njerëzve dhe shkelje e masave kundër COVID-19. Përkatësisht, të pranishmit janë parë afër njëri-tjetrit dhe pa maska.

Ditë më parë, MSh-ja njoftoi për mesat e reja, ku mes tjerash, parashihet edhe kufizimi i lëvizjes për komunat në zonën e kuqe, nga ora 19:00 deri në ora 05:00.

Vendimet e ekzekutivit kosovar ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave nëpër tavolina.

“Sonte, Nëndega e PDK-së në Arllat, është më e madhe për 70 anëtarë (familje), ndërsa grupi parlamentar i PDK-së, më i fortë për një asamblist. Ne nuk do të ndalemi, do të punojmë edhe më shumë, edhe më mirë, sepse zotimi ynë para më meritorëve tanë është përkushtimi për mirëqenien e qytetarëve, sundimi i ligjit, transparenca dhe llogaridhënia. Këto vlera ishin edhe motivi që nëndegës tonë në Arllat iu bashkuan anëtarët e Nismës së bashku me asamblistin komunal të kësaj partie, z. Burim Bujupi. Mirënjohës dhe falënderues për z. Bujupi dhe anëtarët e rinj të PDK-së të Nëndegës Arllat! Bashkë jemi edhe më të fortë!”, ka shkruar Lladrovci.