Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK: Nuk përkrahim ligje që vijnë nga ministrja e dënuar Rozeta Hajdari

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri në seancën e parë të Kuvendit për këtë sesion, fjalimin e ka nisur me kërkesën për shkarkimin e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari.

Tahiri ka thënë se për PDK-në është e papranueshme që Hajdari të vazhdojë ta ushtrojë detyrën pas dënimit për mosdeklarim të pasurisë.

“Për ne është e papranueshme që të qëndroj në sallë, të vazhdoj ta ushtrojë funksionin e ministres një person që fsheh pasurinë. Ministrja Hajdari është ministrja e parë në Republikën e Kosovës që e mbanë Qeveria Kurti që është në detyrë dhe nuk e ka deklaruar pasurinë” – tha deputeti Tahiri.

Ai deklaroi gjatë shqyrtimit të projektligjit për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve teksa tha se PDK nuk voton asnjë iniciativë që vjen nga ministria që drejton Hajdari.

“Ne si grup parlamentar asnjë iniciativë që vjen nga kjo ministri përderisa drejtohet nga Rozeta Hajdari, ne nuk do ta votojmë qofshin ato marrëveshje ndërkombëtare qofshin ligje, sepse nuk është e denjë me vazhdu më tutje ushtrimin e pozitës së ministres” – tha tutje ai.

Sipas tij, në Kuvendin e Kosovës nuk ka pasur ndonjëherë ministër që ka qëndruar në detyrë i cili ka qenë i dënuar për mosdeklarim të pasurisë.

“Kemi me dhjetëra skandale të kësaj ministre, po jua kujtoj skandalin e promovimit të Kosovës si vend ku kanë lind manastiret serbe. Po ju kujtoj skandalin që blen rezerva të grurit nga kompanitë ndërtimore të Turqisë” – ka thënë tutje deputeti i PDK-së duke kërkuar shkarkimin e ministres Hajdari.

Gjykata në Prishtinë me 29 dhjetor 2022 ka gjetur fajtore ministren e Tregtisë dhe Industrisë Rozeta Hajdari për mosdeklarim të pasurisë.

Të njëjtën gjykata e ka dënuar me 700 euro dënim me gjobë, pasi që e njëjta e kishte pranuar fajësinë.

Prokuroria e akuzon Rozeta Hajdarin se në cilësinë e ministres së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, nuk  e ka respektuar ligjin dhe ka kryer veprën penale mosraportim të pasurisë ose raportim i rremë i pasurisë.

Prokuroria pretendon se edhe pse ministrja ishte e njoftuar me kohë për detyrimin e deklarimit të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës si Ministre, e edhe pas shtyrjes së afatit nga Agjencia Kundër Korrupsionit AKK për shkak të pandemisë, e njëjta përsëri nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë.

Rozeta Hajdari shpallet fajtore nga Gjykata për mosdeklarimin e pasurisë