Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK nuk merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme për referendumin e Serbisë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, që do të mbahet nesër, në lidhje me mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Kjo parti e ka quajtur të panevojshëm dhe tentim nga Qeveria që të shmanget nga përgjegjësia.

“PDK e sheh si krejt të panevojshme dhe nuk do t’i përgjigjemi. Ne i kemi dhënë mbështetje një parimi dhe mendojmë se nuk duhet të ketë debat të mëtutjeshëm, prandaj e konsiderojmë të panevojshëm, e cila është shmangie të përgjegjësisë nga Qeveria”, tha Abelard Tahiri në konferencë për media.

Ai tha se rendi kushtetues i Kosovës nuk mund të mbrohet, sipas tij, nga rezoluta në Kuvend dhe se Qeveria i ka instrumentet për të mbrojtur rendin kushtetues të Kosovës.

Tutje, Tahiri tha se PDK-ja do të dëshironte të kishte një koordinim më të mirë me vendet e QUINT-it, e sidomos me ShBA-në.

“Kërkesa nga Serbia për Kosovën përmes OSBE-së ka ardhë gjatë dhjetorit. Ne do të kishim dashur që të kemi një ofensivë diplomatike nga presidentja, qeveria, që të bindin partnerët që kërkesa e tillë cënon sovranitetin e Kosovës, fatkeqësisht Qeveria ka vendosur të heshtë”, tha Tahiri para gazetarëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po synon që të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën do të shprehet vullneti politik i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në lidhje me mbajtjen e referendumit të Serbisë, në Kosovë.

Siç ka njoftuar Qeveria, kryeministri Kurti i është drejtuar zyrtarisht Kuvendit të Kosovës, me kërkesën që nesër me 15 janar 2022 në ora 14:00, të caktohet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës.