PDK nuk merr pjesë në seancë, kundërshton mospërfshirjen e veteranëve në pagën minimale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar që grupi parlamentar i PDK-së nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, për shkak të mos përfshirjes së veteranëve të UÇK-së në projektligjin për pagën minimale.

Krasniqi tha se injorimi i veteranëve nga Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje është turp i madh, pjesë e të cilit Partia Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet  kurrë dhe do ta kundërshtoj fuqishëm.

“Në vend se të fokusoheshim për të shqyrtuar mundësitë dhe për të ndërtuar një politikë të mirëfilltë që përmes përcaktimit të pagës minimale të arriheshin disa objektiva sociale, qeveria e ka devijuar komplet debatin duke vendosur njëanshëm dhe në mënyrë të turpshme, që të përjashtojë kategoritë e veteranëve të UÇK-së nga ky ri përcaktim i pagës minimale”, tha Krasniqi.

Krasniqi, i kujtoi Qeverisë Kurti se veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë më meritorët për lirinë.

“Me vendimin për të mos e përfshirë kontributin e veteranëve të UÇK-së në ligjin që e ripërcakton pagën minimale, Kryeministri është duke u përpjekur të lëkundë themelet e dinjitetit të këtyre burrave e grave, që janë më meritorët për lirinë që e gëzojmë sot. Kjo nuk është vetëm padrejtësi ndaj veteranëve, por është edhe përpjekje për të tjetërsuar të vërtetën historike mbi të cilën qëndron themeli i lirisë dhe pavarësisë sonë”, tha ai.

Krasniqi u bëri thirrje qeverisë që ta kthejë prapa këtë projektligj dhe mos ta procedojë tutje për miratim.

“Para se të fillojë kjo seancë, dua që nga këtu t’i bëj thirrje edhe një herë qeverisë që ta kthejë prapa këtë projektligj dhe mos ta procedojë tutje për miratim”, theksoi kryetari i PDK-së.