Rashir Qalaj/ KALLXO.com

PDK nuk do të votojë projektligjin për pagën minimale

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj ka deklaruar se PDK nuk do të votojë projektligjin për pagën minimale.

Kjo pasi Qalaj ka thënë se në projektligjin aktual veteranët nuk do të jenë pjesë e beneficioneve në lartësi të pagës minimale.

“Një kategori tjetër shumë e rëndësishme ndoshta më e rëndësishme e këtij vendi janë veteranët e luftës. Në projektligjin aktual veteranët nuk do të jenë pjesë e beneficioneve në lartësi të pagës minimale me disa arsyetime qesharake. Ne të gjithë këto që gëzojmë sot janë nga merita, kontributi sakrifica e veteranëve, invalidëve e dëshmorëve të kombit”, ka thënë Qalaj.

Sipas tij, lënia anash e veteranëve është e pa pranueshme dhe se PDK nuk do të votojë këtë projektligj.

“Veteranët të lihen anash mendoj që është e pa pranueshme për PDK-në  dhe këtë projektligj nuk do ta votojmë. E keni parë që edhe në diskutimin e kaluar edhe partitë tjera opozitare e kanë kundërshtuar këtë projektligj”, u shpreh Qalaj.

Tutje, deputeti ka kërkuar mbështetje dhe nga shumica parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje që të mbështetë që projektligji të tërhiqet dhe të plotësohet.

“Në do të kundërshtojmë dhe do të përdorim të gjitha mjetet demokratike qe ky ligj të mos kaloj. Do të koordinohemi edhe me partitë e tjera opozitare por dëshiroj të besoj që shumica parlamentare e LVV-së të na mbështetë ta kthejmë këtë ligj për plotësim dhe si deputetë të votojmë bashkërisht”, tha Qalaj.

Qalaj gjithashtu e ka konsideruar të pa pranueshme lënien anash edhe të disa kategorive tjera.

“Ajo që është e pa pranueshme lënia anash e disa kategorive siç janë të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjiket që janë kategoritë më të diskriminuara në këtë vend. Paraplegjikët dhe tertaplegjikët bëhet fjalë për njerëz me sëmundje të paralizës”, theksoi Qalaj.

“Premtimet e kryeministrit të tashëm kanë qenë që paga minimale të jetë 350 euro dhe me këtë ka bërë ka bëjë kampanjë kudo dhe ka marrë mbështetje të masës, ndërsa me anën e këtij projektligji propozojnë rritje të pagës minimale prej 250 euro, pagë e cila nuk i plotëson as për së afërmi nevojat e qytetarëve të Kosovës duke pasë parasysh ngritjen e çmimeve”, shtoi ai.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar protestën para Kuvendit të Kosovës.

Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, ka thënë se protesta mbahet për të kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Projektligjin për Pagat.

Sot, Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë seancë plenare me pikat e papërfunduara.

Pika e parë e rendit të ditës është “votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”.