Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK nis përgatitjet për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e të parit të partisë

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur përgatitjet për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

Konventa për zgjedhjen e pasardhësit të Kadri Veselit pritet të mbahet më 3 korrik.

PDK ka njoftuar se të gjithë ata që duan të kandidojnë për kryetar të partisë duhet t’i shpallin kandidaturat dy i dytë para mbledhjes.

“Mbështetur në statutin e partisë, kandidati/ja që synon të garoj për Kryetar ka afat kohor ta shpall kandidaturën deri dy ditë para mbajtjes së Konventës, pra më 1 korrik (E Enjte) ora 17h”, thuhet në njoftim.

Për të gjithë ata që ia mësyjnë udhëheqjes së partisë, janë vënë disa kritere që duhet plotësuar.

“Kandidati/ja që garon për Kryetar të partisë, duhet të paraqes listën me 50 nënshkrime të delegatëve nga 818 sa ka gjithsejt Konventa si dhe platformën e tij/saj politike. Grupi punues i Konventës mirëpret nga të gjithë kandidatët që të kontribuojnë rreth përgatitjes sa më të mirë të Konventës”, njofton partia Demokratike.

“Pas formalizimit të kandidaturave, një ditë para mbajtjes së Konventës, do të organizohet një takim i përbashkët me të gjithë kandidatët për t’i njoftuar me përgatitjet që janë bërë, rregullat statutare dhe agjendën e ditës zgjedhore të Konventës. Zyrtari i lartë përgjegjës i partisë për tu kontraktuar për të gjithë mbarëvajtjen e procesit përgatitor të Konventës së PDK-së është Sekretari Elektoral, z. Betim Gjoshi”, thuhet në njoftim.

Pas dorëheqjes së ish-kryetarit, Kadri Veseli, ushtrues detyre i kryetarit është Enver Hoxhaj, i cili ishte edhe kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 14 shkurtit.