Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK në Vushtrri arrin koalicon me AAK-në dhe mbështetet nga KDTP-ja

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se ka arritur koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ka marrë mbështetjen e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KTDP).

Idrizi përmes postimeve në Facebook ka thënë se koalicion me AAK-në e ka arritur për dy arsye.

“Arsyeja e parë është për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe e dyta për zhvillimin e Vushtrrisë”, tha ai.

I njëjti shtoi se të dyja palët janë zotuar që ta respektojnë partnerin e koalicionit dhe të implementojnë marrëveshjen që kanë për rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Vushtrrisë.

Tutje, përmes një postimi tjetër ai ka falënderuar të gjithë votuesit e KDTP-së, kryesinë e saj, kandidatin e tyre për kryetar, Ergin Sungur dhe kryetarin Ergin Bunjaku.

“Do të rrugëtojmë së bashku me KDTP, pasi kjo parti ka vendosur që fuqishëm të më përkrahë mua në garën për kreyetar komune”, tha Idrizi.

I njëjti kujtoi se së bashku më këtë parti edhe në të kaluarën kanë qenë partnerë në qeverisje dhe se ky partneritet, sipas tij ka sjellë punë dhe projekte të mira për të gjithë vushtrriasit.

Idrizi në rundin e parë të zgjedhjeve lokale mori 34% të votave duke shkuar në balotazh me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahirin, i cili mori 33% të votave.

Balotazhi mbahet më 14 nëntor.