Sokol Haliti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK në Viti: Sokol Haliti shpenzoi 3,250 euro për orendi të zyrës, bleu pajisje masazhi e dy tavolina për çaj

Dega e PDK-së në Viti ka kritikuar kryetarin e kësaj Komune, Sokol Halitin, për shpenzimet e bëra për të rregulluar zyrën e tij.

Në postimin në Facebook PDK ka bërë publike një faturë në të cilën shihet se zyra e kryetarit Haliti kishte shpenzuar 3,250 euro vetëm për inventar të zyrës.

Në këtë faturë përfshihet një tavolinë e punës, dy tavolina të çajit, 4 ormanë, një garniturë elektronike si dhe tepih.

PDK në Viti ka përmendur edhe disa shpenzime të tjera të bëra nga zyra e kryetarit të cilat sipas tyre nuk janë të arsyeshme në këtë kohë pandemie.

“Blerja e një garniture të mobileve elektrike të cilat bëjnë  masazh me vlerë 1600 euro, nga ana e Kryetarit të Komunës Sokol Halitit tregon se kryetari i Komunës së Vitisë e ka humbur fillin me realitetin në të cilin gjendemi”, thuhet në postim.

Tutje ata kanë përmendur edhe drekën me mish e raki prej 450 eurove, për të cilën kishte raportuar KALLXO.com.

“Ngrënia e një dreke me vlerë 452 euro, shpenzimi i mbi 15 mijë euro për dekorimin e sheshit ( ka mundur të dekorohej simbolikisht) dhe tani kulminacioni me blerjen e mobileve me masazh për zyrën e tij, në këtë kohë pandemie me para të qytetarëve kur qytetarët kanë mbetur pa punë dhe pa ndihma nga askush, është me të vërtet pikëlluese për secilin qytetetarë dhe parti në Viti kur sheh keqpërdorimet dhe shpërfilljen e Sokol Halitit ndaj gjendjes së të gjithë neve si shoqëri”, thuhet tutje aty.

Tutje ata kanë ‘ironizuar’ me mungesën e një xhakuzi në zyrën e kryetarit.

“Çfarë i mungon tani zyrës së Sokol Halitit, pas blerjes së mobileve me masazh, mos ndoshta ndonjë xhakuzi, nuk është çudi nëse zyra kryetarit furnizohet edhe më një xhakuzi në të ardhmen e afërt edhe ashtu si ka mbetur shumë kohë deri në vjeshtë e ndoshta ikën edhe para vjeshtës”, thuhet në reagim.

Po ashtu PDK në Viti ka ftuar qytetarët e komunës së Vitisë të shkojnë të bëjnë nga një masazh falas te zyra e kryetarit të Vitisë, sepse sipas tyre ‘edhe ashtu me para të qytetarëve janë blerë këto mobilie masazhi’.

 

Në mes të pandemisë, kryetari i Vitisë dhe Vlora Dumoshi shpenzuan mbi 450 euro në raki e mish – DOKUMENT