Konferenca e degës së PDK-së në Prishtinë Foto: PDK

PDK në Prishtinë: Mungesa e kolektorit në Kalabri, e rrezikshme për shëndetin

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, ka mbajtur një konferencë për media ku ka akuzuar qeverisjen e PSD-së në Prishtinë për mosndërtimin e kolektorit për ujëra të zeza në lagjen Kalabria.

Asamblisti i PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, ka akuzuar Komunën e Prishtinës për zgjatjen e punimeve.

“Po shohim këtu lagjen Kalabria ku qytetarët e saj janë lënë nën kundërmimin e erërave të ujërave të zeza. Premtime të pafundme, i janë dhënë kësaj lagjeje nga të gjitha partitë që kanë udhëhequr me kryeqytetin, si nga LDK-ja ashtu edhe nga LVV-ja. Ndërsa, qeverisja aktuale karakterizohet me zvarritje të pafundme të punimeve, ku 180 ditë të caktuara për secilin projekt të nisur nuk përfundojnë para 3 apo 8 viteve”, është shprehur Retkoceri.

Ndërsa asamblistja e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Suzana Vuqitërna Kika, tha se mosveprimi nga ana e Komunës për vendosjen e kolektorit po e rrezikon jetën e fëmijëve.

“Unë jam e shqetësuar për fëmijët e kësaj lagjeje që dalin të luajnë dhe shkojnë në shkollë në këtë periudhë kur ka reshje të shpeshta të shiut. Ata rrezikojnë të bien në gropat e thella me ujë dhe paramendojeni se çfarë mund të ndodhë”, u shprehë Vuqitërna Kika.

Komuna e Prishtinës tash e disa vite ka nisur projektin e ndërtimit të kolektorit në lagjen Kalabria, por punimet nuk kanë përfunduar ende.

Banorët e kësaj lagje janë ankuar disa herë në Komunë për kundërmimin e rëndë që vjen gjatë gjithë kohës në këtë lagje.

VIDEO – Komuna e Prishtinës lë kolektorin e Kalabrisë të papërfunduar