PDK në Prishtinë kundër ndërtimeve në Liqenin e Badovcit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Prishtinë, ka dalë kundër ndërtimeve në Liqenin e Badovcit.

Përmes një konference për media, asambleisti i kësaj partie, Leutrim Rektoceri, dhe deputetja Eliza Hoxha kërkuan që Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit të japin përgjegjësi dhe të anulojnë vendimet e marra për ndërtime në Badovc.

Asambleisti Rektoceri tha se tashmë janë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për të iniciuar seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës, për të diskutuar për këtë çështje.

“I bëjmë thirrje Komunës së Prishtinës që sa më parë të caktojë datën dhe orën e mbajtjes së seancës. Thirrja e seancës së jashtëzakonshme ka për qëllim mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, që është jetik për qytetarët e Prishtinës. Çdoi tentim për të zhvilluar objekte afariste dhe banesore në afërsi të liqenit, është i papranueshëm dhe nuk duhet të lejohet”, tha Retkoceri.

Ai i bëri thirrje kryetari Shpend Ahmeti, drejtorisë së Urbanizimi e të Inspekcionit që të anulojnë vendimet për kushtet ndërtimore.

Ndërsa deputetja e zgjedhur nga rradhët e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se partia e saj nuk është kundër zhvillimit të sektorit privat, por që duhet të mbrohet Liqeni i Badovcit  në këtë rast, pasi një pjesë e madhe e territorit të Prishtinës furnizohet me ujë nga ky liqe.

“Si e dyta, në vitin 2013, është shpallë resurs ujorë, domethënë që mbrohet me ligjet në fuqi dhe në hierakinë e vendimeve, kjo i takon Ministrisë së Mjedisit. Si e treta, duhet ta kemi parasysh që Kosova është shtet që karakterizohet si shtet me stres ujor. Kjo nënkupton që kemi mungesë të ujërave. Tre prej pesë pellgjeve në Kosovë, kanë mungesë të ujit. Në 20-30 vitet e ardhshme parashikohet që kjo zonë të arrijë deri në 70% të stresit ujor”, tha Hoxha.

Kur u pyet se a ka gisht PDK-ja në këtë proces, pasi sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku, është emëruar në kohën kur Hashim Thaçi ka qenë kryeministër i vendit, deputetja Hoxha u përgjigj duke thënë se Komuna e Prishtinës i ka lëshuar kushtet ndërtimore, e jo Ministria në fjalë.

“Unë thash që nuk ka bazë ligjore që me e lëshu as Komuna, sepse nuk ekziston në planin rregullues zona në fjalë. Kushdo qoftë akteri, Ministria apo Komuna ne jemi të hapur që t’i ulim në tryezë për me diskutu dhe me e sqaru rastin”, ka thënë Hoxha.

Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk është treguar i gatshëm që të merr pjesë në një debat televiziv, bashkë me ministrin e Mjedisit, Fatmir Matoshin, për të diskutuar rreth ndërtimeve afër Liqenit të Badovcit.

Shpend Ahmeti nuk merr pjesë në debatin për ndërtimet në Liqenin e Badovcit