Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Han të Elezit, Kimete Kuka-Hasallari (e dyta nga e majta) së bashku me drejtorët e tjerë komunalë dhe kryetarin Mehmet Ballazhi

PDK në Han të Elezit emëron drejtorë nga LVV e LDK, por thonë se s’kanë koalicione

Ndonëse zyrtarisht nuk janë në koalicion, kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi ka emëruar sot dy drejtorë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe një nga Lëvizja Vetëvendosje.

Natyra Kalisi, tani drejtoreshë për Administratë në Hani i Elezit kishte kandiduar për asambliste nga LVV. Në zgjedhjet e 17 tetorit, ajo rriti të siguroj 68 vota.

LVV dega në këtë komunë përmes një komunikate dje ka thënë se nuk ka koalicion me PDK-në.

“Çfarëdo punësimi në pozita politike i strukturës dhe anëtarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk përfaqëson asnjë lloj koalicion të Lëvizjes VETËVENDOSJE! me Partinë Demokratike të Kosovës në Komunën e Hanit të Elezit”, thuhet në reagimin e LVV, dega e Hanit të Elezit.

Nexhmedin Daci, drejtor për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtje të mjedisit dhe Kimete Kuka Hasallari, drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, tani pjesë e ekipit të kryetarit Ballazhi, kishin kandiduar për ulëse të Kuvendit Komunal nga radhët e LDK-së.

Daci kishte arritur të fitoj 169 vota ndërsa Kuka Hasallari 115.

 

Kryetari i Hani të Elezit, Mehmet Ballazhi ka thënë për KALLXO.com se nuk kanë  koalicion me asnjë parti duke shtuar se personat e emëruar janë të duhur për ato pozita.

“Nuk kam lidhur koalicion me asnjë parti politike. Unë kam emëruar edhe drejtorin e DKA-se i cili nuk i përket asnjë partie politike”, tha ai.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me Natyra Kalisin, drejtoreshë e Administratës dhe Hyrijete Isufin nënkryetare e degës së LDK-së në këtë qytet, por asnjëri nga ta nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Mehmet Ballazhi nga PDK-ja është zgjedhur kryetar i Hanit të Elezit në rundin e parë të zgjedhjeve të sivjetme lokale të 17 tetorit. Ai ka marrë 51,33% të votave kundrejt kundërkandidatit të tij Rufki Suma, i cili mori 42,21% të votave.

Gjysma e drejtorive në Han të Elezit, do drejtohen nga gratë