Shkolla "Mihal Grameno" në Fushë-Kosovë. Foto: Kallxo.com

PDK në Fushë Kosovë: Shkolla 'Mihal Grameno' tash e dy javë nuk ka mbajtur mësim online

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Fushë Kosovë ka thënë se shkolla, “Mihal Grameno” nuk është duke mbajtur mësim online tash e dy javë.

Kjo shkollë më 15 nëntor me vendim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik ishte mbyllur pasi rreth 20 nxënës dhe 5 mësimdhënës kishin rezultuar pozitiv me COVID-19.

PDK-ja përmes një postimi në facebook ka thënë se “janë humbur 5200 orë mësimore gjatë kësaj periudhe”.

Sipas tyre nxënësve u është thënë që mësimet t`i ndjekin përmes televizionit.

“Që nga mbyllja e saj për shkak të koronavirusit nuk është mbajtur asnjë orë me platformën zoom, google, etj. ashtu siç edhe parashihet me planin e Ministrisë së Arsimit. Janë humbur plot 5200 orë mësimore gjatë kësaj periudhe. Është e papranueshme që rreth 3400 nxënës të mbesin pa mësim, shkaku i neglizhencës dhe i papërgjegjësisë së DKA-së në Fushë Kosovë, e cila nuk është në gjendje ta menaxhojë arsimin as në kushte normale. Nxënësve u është thënë vetëm ta përcjellin nga televizonet mësimin, por nuk ka pasur asnjë mbikëqyrje apo angazhim të mësimdhënësve në këtë proces”, thuhet në postim.

Tutje, ata kanë kërkuar edhe dorëheqjen e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani.

Shabani i kontaktuar nga KALLXO.com ka mohuar se mësimi nuk është mbajtur. Ai tha se mësimi është zhvilluar varësisht platformave që kanë preferuar mësimdhënësit.

“Po mësimi është zhvilluar online, secili arsimtarë ka punu më nxënësit e vet. Me platforma të ndryshme dikush me Viber, me Skype dikush me Zoom. Nuk është e vërtetë. Kanë punu me nxënësat  e vet ne kemi edhe një përvojë sepse kemi punu edhe në mars. Secili arsimtarë për secilin nxnënës i ka të dhënat. Sa jemi të kënaqur o diçka tjetër sepse asgjë nuk nuk e zëvëndëson mësimin fizik por që është mbajt është shumë e vërtëtë përmes arsimtarëve” , tha ai.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me Ismet Gashin, drejtorin e shkollës,  “Mihal Grameno” por që kontakti me të ka qenë i pamundur.

Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani tha për KALLXO.com se mësimi në këtë shkollë pritet të nis të hënën.

“Sot i ka bërë 14 ditë  shkolla që është mbyllur por që nga Insituti Kombëtar i Shëndetësisë kemi marrë rekomandim që mësimi të filloj të hënën, sepse ata që i kanë bërë testet, nuk i marrin rezultatet deri javen tjetër”, shtoi ai.