PDK: Mungesa e oksigjenit dhe barnave nëpër spitale po u kushton me jetë qytetarëve

Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, njëherit anëtari i kryesisë së PDK-së, Donjet Bislimi ka mbajtur një konferencë për media, duke shprehur shqetësimin për gjendjen e rënduar, të krijuar nga pandemia COVID-19.

Sipas një njoftimi për media ai ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë sigurimin e vaksinës anti-COVID, për shkak se në Kosovë është rritur numri i vdekjeve, duke tejkaluar shumë vende në botë.

Ai shprehu zemërimin ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë së Kosovës, për keqmenaxhimin e spitaleve dhe gjithë sistemit shëndetësor, gjë që është demonstruar tashmë nga raportimet e mediave.

“Mediat kanë dëshmuar tashmë për mungesën e kushteve bazike, të kontrolleve dhe izolimit të nevojshëm të spitaleve ku trajtohen pacientët e infektuar prej koronavirusit. Ndërkohë që gjasat janë të mëdha që kjo qeveri të dalë me suficit të madh për sa i përket shpenzimeve buxhetore, qytetarët nuk kanë oksigjen, i cili është vital për mbijetesën e të sëmururve, dhe detyrohen ta kërkojnë në treg privat”, tha Bislimi.

Ai theksoi se PDK është e shqetësuar nga mungesa e oksigjenit në spitalet e Kosovës.

“E njëjta situatë e rëndë shihet edhe me barna, ku Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë masa për të përmbushur nevojat e pacientëve, të cilët po detyrohen t’i blejnë barnat në treg të zi me çmime të larta. Ne si PDK jemi të shokuar nga mungesa e oksigjenit në spitalet tona dhe dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë”, tha Bislimi.

Ai kërkoi llogari nga institucionet kompetente për krizën e krijuar si shkak i mungesës së oksigjenit për pacientët me COVID -19 dhe bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm për menaxhimin e kësaj krize.

Emisioni “Jeta në Kosovë” mbrëmë ka transmetuar emisionin që tregonte përvojat e pacientëve dhe familjarëve për sfidat e trajtimit të COVID-19 në spitalet tona.

Në emision u diskutua mungesa e oksigjenit në spitale, kushtet e spitaleve ku trajtohen pacientët me COVID-19 dhe dëshmi të tjera.

Këtu mund ta shikoni emisionin e plotë.