Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK me plan 5-pikësh për përballjen me krizën ekonomike

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), prezantoi sot në një konferencë për media planin e tyre 5-pikësh për përballjen me krizën ekonomike, të propozuar nga kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi.

“Kriza e rëndë ekonomike nëpër të cilën po kalon vendi, e cila po manifestohet me një rritje enorme të kostos së jetesës dhe tendenca për stagnim apo edhe rënie të aktivitetit ekonomik nuk pritet të ketë karakter afat-shkurtër.” – tha Arben Mustafa, Koordinator i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së.

Kjo krizë, sipas tij mund të rritet duke pasur parasysh krizën energjetike të paralajmëruar dhe kërkon një përgjigje më serioze dhe më gjithpërfshirëse.

Prandaj, ai tha Memli Krasniqi i ka propozuar qeverisë dhe kuvendit një plan 5 pikësh, i cili sipas tij përfshin një spektër më të gjerë të qytetarëve, ofron siguri për një periudhë më të gjatë kohore dhe ndihmon në rikuperimin e aktivitetit ekonomik.

Mustafa tha se një familje mund të përfitojë nga 4 masat e para të këtij plani rreth 155.86 euro në muaj për 6 muajtë e ardhshëm.

Pika e parë e planit është lirimi i të gjitha mallrave esenciale të konsumit nga TVSh-ja, nga e cila sipas Mustafës një familje do të përfitonte një zbritje prej 33.76 euro në muaj.

Pika e dytë është lirimi i produkteve të naftës nga akciza, gjë që do të mundësoje uljen e çmimit të naftës për 36 centë në ditë.

Në pikën e tretë PDK ka propozuar lirimin nga TVSh-ja të konsumit të energjisë elektrike dhe subvencionimin me 25% faturat e atyre që konsumojnë deri në 1,200 kilovat për orë.

Pika e katërt propozon rritjen e pagave, pensioneve dhe ndihmave sociale për të paktën aq sa është norma mesatare e inflacionit, në këtë rast 15%.

Dhe në pikën e pestë kërkohet lejimi i tërheqjes deri në 30% të kursimeve pensionale dhe rimbursimi gradual i shumës së tërheqjes, për ata që kanë më pak se 10 mijë euro në llogaritë e trustit.

Ndër të tjera ai i quajti ndihmat e qeverisë simbolike dhe të njëhershme të cilat po ndahen vetëm për disa kategori të qytetarëve, përderisa planin e tyre e quajti kornizë më të dinjitetshme dhe më gjithpërfshirëse.

“Mënyra se si qeveria i është përgjigjur kësaj krize, më tepër do t’i përshtatej një krize të njëhershme, pasojat e së cilës do të ishin të kufizuara brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe që do të ndikonte vetëm mbi disa kategori të shoqërisë” – tha ai.