PDK me nismë legjislative për shfuqizimin e vlerësimit për rritjen e tatimit në pronë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka iniciuar një nismë legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronë.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka thënë se kjo është një mundësi për qeverinë që të shfuqizojë vlerësimin e pronës të bërë në vitin 2022.

Sipas tij, kjo nismë vjen pas rritjes së tatimit në pronë.

“Për të dalë nga kjo situatë, PDK ka iniciuar nismën legjislative për plotësim ndryshimin e Ligjit për tatimin e pronës së paluajtshme, i cili sheh që vlerësimi i pronës së paluajtshme i kryer në vitin 2022 të shfuqizohet dhe vlerësimi të bëhet në 2024. Për këtë propozim ne i japim shanse qeverisë të shfuqizojë rritjen e tatimit në pronë për të gjithë qytetarët, të krijojë mundësi për rishikimin e ligjit”- ka thënë Shala.

Shala i PDK-së, përveç kësaj çështje, tutje ka folur edhe për koeficientin për paga.

“Ndërsa, opsioni jonë për aferën e dytë me koeficientin prej 105 euro është se PDK kërkon që vlera e koeficientit të jetë së paku 120 euro. Kërkojmë nga qeveria të reflektojë”- ka thënë ai.

Ditëve të fundit ka pasur shumë reagime nga qytetarët rreth ngritjes së çmimit të tatimit në pronë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur në lidhje me ligjin aktual për tatimin në pronë, për të cilin tha se është në fuqi që nga viti 2018 dhe është miratuar në Qeverinë e Isa Mustafës, ndërsa Kuvendi e ka aprovuar, kur Qeverinë e kishte marrë Ramush Haradinaj.

Murati tha se ligji obligon që në vitin e pestë të zbatimit, të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave.

“Ligji aktual për prona ishte miratuar nga qeveria Mustafa më 4 maj 2017,  por nuk ka kaluar në Kuvend, pasi qeveria kishte rënë një javë më vonë.  Më pastaj i njëjti ligj është procedu në Qeverinë Haradinaj dhe më 26 janar 2018 ka hy në fuqi. Ky ligj ka paraparë që në vitin e pestë të hyjë në fuqi tatimimi 100%  i tokave. Viti 2023 është kur tatimi në toka aplikohet në vlerën 100 për qind, domethënë këtë e obligon ligji” – ka thënë Murati.