PDK mban takim me bizneset në Shtime

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka takuar dhjetëra biznesmenë nga qyteti i Shtimes.

Hamza tha se prioriteti i tij i parë është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, duke përmendur se bizneset të cilat investojnë mbi 500 mijë euro dhe punësojnë mbi 50 punëtorë, 5 deri në 10 vitet e ardhshme do të lirohen nga pagesa në fitim.

“Themelet e shtetit të zhvilluar ekonomikisht janë bizneset. Këtu unë nuk kam dilemë. Nëse të tjerët kanë dilema, unë këtu s’kam dilemë. Për këtë qëllim, prioriteti im i parë është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. Bizneset të cilat investojnë mbi 500 mijë euro dhe punësojnë mbi 50 punëtorë, 5 deri në 10 vitet e ardhshme prej atij momenti kanë me u liru prej pagesës në fitim të korporatave. Përveç kësaj, të ardhurat për të punësuarit deri në 400 euro kanë me pas tatimin 0, kanë me u tatimu me 0. Prej 400 deri në 800 me 8%, edhe mbi 800, me 10%”- ka thënë Hamza.

Kandidati për kryeministër i PDK-së ka treguar për projektin për ndërtimin e një autostradë të re e cila do të kalojë nëpër periferinë e Shtimes.

“Autostrada e re do ta ketë kyçjen në Banullë të Lipjanit dhe do të kalojë përmes Shtimes deri në Qafën e Duhlës. Kjo autostradë do t’i lidhë tri autostradat kryesore, Autostradën e Kombit, Autostradën Gjilan – Dheu i Bardhë dhe Autostradën e Shkupit”- ka shkruar Hamza në Facebook.

Në ditën e dytë të fushatës zyrtare, PDK-ja ka organizuar tubim edhe në qytetin e Ferizajt. Kryetari i kësaj komune, Agim Aliu është shprehur se ora e fitores po afron, ndërsa ka thënë se Ferizaj është shembulli më tipik i qeverisjes së Partisë Demokratike të Kosovës.

E kandidati për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamza u zotua se vota për të “do të thotë Kosovë më të zhvilluar, më shumë vende të reja të punës dhe paga me të dinjitetshme”.

“Do të rrisim pagat për 50 për qind, edhe për mësues, ushtarë, zjarrfikës, shërbyes civil, doktorë e të tjerë. Nuk kam se si mos t’ja filloj nga kategoria më meritore, familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranët”- ka thënë ai.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025. Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën e 9 shkurtit 2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes të cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; dhe të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Mërgimtarët kanë nisur më 09.01.2025 të votojnë përmes postës për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë.Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.