PDK: LVV po instalon frikën dhe po përgatitet për dhunë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përmes një njoftimi ka dënuar, siç thonë ata, thirrjet e zyrtarëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje këto ditë për dhunë dhe vëllavrasje.

“PDK konsideron se kjo gjuhë e dhunshme është e dënueshme sepse po nxit një konflikt të rrezikshëm shoqëror”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Sipas PDK-së, deklaratat e organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje brenda dhe jashtë Kosovës, e kanë për qëllim nxitjen e një zinxhiri të dhunës që del jashtë institucioneve shtetërore për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.

PDK ka shkruar në njoftim se deklaratat “filluan me Albin Kurtin në Kuvendin e Kosovës, i cili gjatë seancës paralajmëroi trazira, për t’u përshkallëzur me deklarata kërcënuese të Agim Bahtirit, Boiken Abazit, Artan Abrashit e përfaqësuesve të tjerë të LVV-së të cilët kanë folur për dhunë, anarki e vëllavrasje”.

Ata kanë thënë se e dënojnë rëndë gjuhën e urrejtjes dhe krijimin e klimës së frikës nga zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes, të ndihmuar dhe orkestruar edhe nga analistë të papërgjegjshëm në Shqipëri e Kosovë.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk do të lejojë askënd që të kërcënojë sigurinë publike, të mbjelli përçarje, të nxit konflikt civil e të shkeli rendin kushtetues. Pasojat e këtyre veprimeve janë të paparashikueshme dhe përgjegjësia totale për çfarëdo që ndodh ka për të qenë e gjitha e Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në njoftimin e PDK-së.