PDK: LVV nuk e përkrahu propozimin kundër shtrenjtimit të rrymës

Pas lëshimit të seancës plenare në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri në një konferencë për media tha se propozuan që në rend të ditës të shtohet një pikë që lidhet me vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë, por që nuk u votua nga shumica.

“Një kërkesë e tillë nga PDK-ja nuk është votuar nga mazhoranca, nga Lëvizja Vetëvendosje. Si duket kemi një lidhje dhe sinkronizim të mirë mes Qeverisë, grupit parlamentar të LVV-së dhe ZRrE-së për vendosmërinë e tyre për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe ne nuk e pamë të arsyeshme që të vazhdojmë më tutje të qëndrojmë në një seancë ku temat tjera janë krejt të parëndësishme në krahasim me këtë vendim skandaloz të ZRrE-së”, ka deklaruar Tahiri.

Tutje, Tahiri shtoi se gjithashtu kërkuan shqyrtimin e mundësisë për shkarkimin e bordit të ZRrE-së nga Kuvendi pasi sipas tij ky bord është i paaftë dhe po rëndon jetën e qytetarëve.

“Kërkuam që të shohim mundësinë që ky bordi ZRrE-së  të shkarkohet nga Kuvendi i Kosovës, LVV e ka vendosur këtë bord dhe ne besojmë që ky bord duhet të shkarkohet sepse janë njerëz të paaftë të cilët po e marrin në qafë jetën e qytetarëve tanë, po e rëndojnë jashtë mase jetën qytetarëve tanë”, ka shtuar ai.

Tahiri njoftoi se në bashkëpunim me partitë tjera opozitare LDK dhe AAK, do të ftojnë një seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të kërkojnë votimin e një rezolute për të anuluar vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë.

Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.

Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu deklaroi se 80% e konsumatorëve janë që shpenzojnë nën 800 kilovat energji elektrike në muaj.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi që nga nesër, më 9 shkurt 2022.