PDK: Lëvizja Vetëvendosje krijoi dhe frymëzoi grupin terrorist ‘Syri i Popullit’

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se dënimi i organizatës “Syri i Popullit të cilën e quajnë “terroriste”, është një lajm i mirë për qytetarët, drejtësinë dhe sigurinë në Kosovë.

“Institucionet e Kosovës dëshmuan edhe njëherë fuqinë dhe profesionalizmin për të parandaluar, kapur dhe dënuar një grup të terroristëve të cilët kishin ndërmarrë një tentim vrasje dhe po planifikonin të vrisnin kundërshtarët politikë ku në listat e tyre të ekzekutimit figuronin udhëheqës shtëtërorë, figura të partive politike dhe personalitete publike”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Mes tjerash, PDK-ja e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se e ka krijuar dhe frymëzuar këtë organizatë.

“Partia Demokratike e Kosovës e dënon fuqishëm përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje e cila me qëllime dashakeqëse krijoi, frymëzoi dhe shtyri këtë grup terrorist për të eliminuar kundërshtarët  politikë. PDK kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje që të distancohet nga ky grup terrorist”, thuhet në reagim.

KALLXO.com ka raportuar sot se Avni Llumnica është dënuar me 12 vjet burg nga Gjykata, pasi është gjetur  fajtor në akuzat e Prokurorisë në rastin “Syri i Popullit”.

I njëjti pasi ju shpall aktgjykimi ka shpërthyer në akuza të rënda në drejtim të trupit gjykues, duke i sharë dhe fyer.

Avni Llumnica është shpallur fajtor për shkak të dhënies së ndihmës në tentimvrasjen e Azem Vllasit, për shkak të hakmarrjes dhe për veprën penale sulm seksual sa ishte në qendrën e paraburgimit.

Sa i përket akuzave të PDK-së ndaj VV-së për “Syrin e Popullit” në prill të vitit 2019, kryetari i VV-së Albin Kurti, dhe ish-shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca, tash kryetar i Kuvendit, patën dorëzuar në Gjykatën e Prishtinës një kallëzim penal ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për dëshmitë e tyre të dhëna në një seancë gjykimi ndaj organizatës “Syri i Popullit”.

Për Kurtin, Thaçi e Veseli, kur kanë dalë për të dëshmuar para gjykatës, kanë bërë “deklarime të rrejshme nën betim”.

“Këta dy njerëz që ndodhen në pozitat më të larta, kanë rënë nën pozitat më të ulëta”, kishte thënë Kurti para ndërtesës së Gjykatës në Prishtinë.

Më 28 dhjetor 2018, Thaçi në dëshminë e tij në gjykatë kishte thënë se Kurti e Konjufca qëndrojnë para organizatës e cila akuzohet se e plagosi avokatin kosovar, Azem Vllasi.

Ndërsa Kadri Veseli, e kishte quajtur organizatën “Syri i Popullit” si “krah i armatosur i Vetëvendosjes”.

Familjarja e të dënuarit në rastin ‘Syri i Popullit’ me akuza ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit

Kurti flet për akuzat e Thaçit në rastin ‘Syri i Popullit’