Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

PDK, LDK dhe AAK mbështesin tërheqjen e 30 % të Trustit

Dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës  i kanë dhënë mbështetje tërheqjes prej 30 për qind të Trustit.

Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) tha që partia e tij i ofron mbështetje këtij projektligji duke dhënë edhe arsyet për këtë.

“Në emër të PDK-së, shprehi mbështetjen e fuqishme për këtë nismë legjislative e cila parimisht ka arsyet e veta, arsyeja që e mbështesim ne është sepse është nismë qytetare, është nismë që mbështetet nga gjendja ekonomike në të cilën kjo qeveri e ka sjellë vendin”- tha ai.

Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), mbështetje këtij projektligji i dha deputeti Avdullah Hoti.

“Janë dy arsye madhore, e para 2022 ka qenë ndër vitet më të rënda në Kosovë në aspekt ekonomik dhe social, dhe e dyta përjashto disa masa periferike nuk ka pasur intervenim të fuqishëm të qeverisë për të ndihmuar qytetarët që kanë kaluar nëpër inflacion”- tha ai.

Partitë opozitare janë deklaruar pro kësaj nisme, ndërsa Lëvizje Vetëvendosje, në vazhdimësi nuk e kanë mbështetur tërheqjen e 30% të mjeteve të trustit.

“Qëndrimi i Grupit Parlamentar të LVV-së është i qartë, ne nuk e kemi mbështetur tërheqjen e 30 % të Trustit”- u shpreh të hënën shefja e deputeteve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) përmes shefit të grupit Besnik Tahirit i dha mbështetje kësaj nisme.

“Sot secili prej nesh do të shihet se a jemi në urdhër të liderit, apo jemi të përzgjedhur të popullit që të votojmë për interesat e tyre. Sot të mos votojmë një vendim kundër qytetarëve të Kosovës”- tha ai.

Projektligji për Trustin është dërguar në Kuvend më 15 korrik 2022, si nismë legjislative pas mbledhjes së më shumë se 20 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.

Fillimisht projektligji për Trustin ka dalë në votim në muajin qershor, por është refuzuar nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Edhe institucionet financiare ndërkombëtare vazhdimisht e kanë kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së mjeteve të trustit.

Gjatë vitit 2020, Qeveria Hoti kishte vendosur që t’u lejojë qytetarëve që të nxjerrin 10 për qind të shumës së tyre të grumbulluar në Fondin Pensional.

Kjo nismë u shoqërua me telashe dhe stërzgjatje në votimin e ligjit, probleme teknike më pas dhe çështje tjera. Atë vit, qytetarët e Kosovës tërhoqën nga kursimet e tyre pensionale mbi 198 milionë euro.