Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK: Kushtetuesja na dha të drejtë për përfaqësuesin e dytë në KQZ

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë të drejtën kushtetuese Partisë Demokratike të Kosovës për të pasur edhe përfaqësuesin e saj të dytë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Përmes një njoftimi PDK potencon se hedhja poshtë e kërkesës së Presidentes Vjosa Osmani për gjoja interpretim nga Gjykata Kushtetuese, në një çështje që ishte plotësisht ligjore dhe kushtetuese, flet për anshmërinë politike që ka marrë presidentja e vendit në përpjekje për të dëmtuar partitë opozitare.

“Veprimi i saj i fundit për të mos emëruar përfaqësuesin e PDK-së dhe të një anëtari të subjektit politik VAKAT, ishte vetëm në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje për t’ia dhënë asaj anëtarin e tretë që ishte paraparë të emërohej një bashkëpartiake e Presidentes Osmani”, thuhet në njoftim.

Partia Demokratike e Kosovës fton Presidenten të mos tregohet e anshme që t’i përmbahet Kushtetutës së Kosovës duke emëruar përfaqësuesin e dytë të PDK-së në KQZ dhe anëtarin tjetër nga subjekti politik VAKAT, thuhet mëtej në njoftim.

Sipas PDK-së në nenin 139 të Kushtetutës së Kosovës është saktësuar qartë se si bëhet emërimi i anëtarëve nga radhët e grupeve parlamentare shqiptare.

“Gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilat nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, citohet Kushtetuta në njoftimin e PDK-së.

“Sjellja e anshme politike e Presidentes Osmani po e rrezikon demokracinë, pluralizimin politik dhe funksionimin e institucioneve të pavarura kushtetuese. PDK ka shprehur shqetësimin me kohë se Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, përmes orvatjeve në Gjykatën Kushtetuese, po tentojnë t’ia mohojnë një të drejtë kushtetuese PDK-së, si partia e dytë më e madhe politike në vend”, thuhet në njoftim.