Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK kundër Projektligjit për zyrtarët publikë

Kuvendi i Kosovës është duke e shqyrtuar në lexim të dytë Projektligjin për zyrtarët publikë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se ky projektligj cenon punën e administratës publike.

Ai ka thënë se përmes këtij projektligji devijohet puna e shërbimit civil.

“Kemi shprehë shqetësimin tonë edhe në leximin e parë. Ne e konsiderojmë që ky projektligj shihet se do të votohet nga kjo mazhorancë e cenon në thelb punën e administratës publike. Pra e dëmton jashtëzakonisht shumë dhe kemi marrë vërejtje edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë. Ky ligj të cilin sot po e miratoni do ta devijoj punën e mirë të shërbimit civil”- ka thënë Tahiri.

Ai tutje ka thënë se në të kaluarën nuk kanë ndodhur ndryshimet e pozitave siç parashihet sipas tij me këtë projektligj.

“Asnjëherë me ndërrimet e qeverive nuk kemi pasur ndryshim të madh të drejtuesve të drejtorive, divizioneve, ka pasë stabilitet. Po i hapni me mijëra konkurse që do të ua bëjnë argatin juve. Do ta dëmtoni cilësinë në administratë publike”- është shprehur Tahiri në Kuvend.

Ai ka bërë thirrje nga Qeveria që ta tërheqin këtë ligj dhe i njëjti të mos miratohet në lexim të dytë.

Përndryshe, sipas tij, PDK nuk merr pjesë fare në votim.

Javen e kaluar, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar propozimin që shqyrtimi i Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjit për Paga të bëhet me shmangie nga afatet procedurale të parapara sipas rregullores.

Me kërkesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për këtë mocion Kuvendi ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme.

Pro këtij propozimi votuan 64 deputetë, ndërsa nuk pati vota kundër, as abstenime.

Deputetët e opozites në vazhdimësi kanë kritikuar disa nene të këttij projektligji.

Në seancën e 9 dhjetorit është miratuar në lexim të parë Projektligji për pagat në sektorin publik. Për kanë votuar 68 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Projektligji për Zyrtarët Publikë është miratuar me 61 vota për dhe 1 abstenim.