PDK kritikon vendimin e Qeverisë Kurti për uljen e shtesave për mjekët, infermierët e pensionistët

Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar vendimin e Qeverisë Kurti në lidhje me uljen e shtesave për stafin shëndetësor e për pensionistët.

Deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu, në një konferencë për media ka thënë se partia të cilës i takon i ka ndjekur me shumë shqetësim zhvillimet në këtë drejtim.

“Pikërisht kur pritej rritja e mbështetjes për ekonominë e goditur nga pandemia dhe për mjekët e punëtorët shëndetësorë ndodhi e kundërta – qeveria përgjysmoi ndihmën për disa kategori dhe i anuloi krejt për disa të tjera”, tha Zejnullahu.

Tutje ajo shtoi se një vendim i tillë nga ana e Qeverisë është skandaloz e i ngutshëm.

“Vendimi i kryeministrit Albin Kurti, i marrë në mbledhjen e Qeverisë, për të ulur shtesat për mjekët dhe infermierët për 50 për qind – nga 300 në 150 euro, si dhe për të ndarë vetëm 100 euro për stafin mbështetës teknik është jo i drejtë dhe i papranueshëm. Nuk mjafton vetëm falënderimi për ta, por duhet të ketë edhe vendime e mbështetje konkrete”, shtoi Zejnullahu.

Sipas Zejnullahut edhe ulja e pensioneve për pensionistët është shqetësim në vete.

“Po ashtu, ne shprehim shqetësimin lidhur me vendimin tjetër të Qeverisë për uljen e shtesave për pensionistët nga 120 në 100 euro, marrë parasysh shpenzimet për ilaçe që i ka kjo kategori, e cila është edhe më e rrezikuar se grupmoshat tjera nga pandemia”, vazhdoi ajo.

Sipas Zejnullahut, ‘Qeveria ka dështuar të mbështesë financiarisht punëtorët, ekonomitë familjare dhe bizneset e prekura nga pandemia duke u ofruar lëmoshë, por jo mbështetje të njëmendtë’.

“Mungesa totale e vizionit për të qeverisur, e shoqëruar nga papërgjegjësia dhe populizmi, qytetarin e Kosovës e ka vendosur në limitet e ekzistencës së tij të përditshme. 222 milionë e katërqind mijë euro, të parapara për zbutjen e situatës me pandemi, të miratuar në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, janë zëvendësuar me masa sipërfaqësore, përjashtuese e përçmuese nga qeveria Kurti”, tha Zejnullahu në konferencë.

Ajo përmendi edhe se rreth gjysmë milionë euro mbështetje për zyrtarët e Shërbimit Korrektues, Inspektorët e AVUK-ut, Doganave dhe ATK-së janë anuluar nga qeveria Kurti.

“Janë ndarë vetëm rreth 4  milionë euro për shtesa për sektorët e rrezikuar direkt nga pandemia, pra sektorin shëndetësor, ndërkaq më herët ishin paraparë 11 milionë euro. Pra, rreth 7 milionë euro më pak. Për pagat në gastronomi, shtesat prej 50 % janë neto, ndërsa për mjekët, infermierët, policët këto shtesa janë bruto dhe atë të përgjysmuara”, tha ajo.

Zejnullahu paralajmëroi se në seancën e ardhshme të  Kuvendit të Kosovës, me kërkesë të Grupit Paralmentar të PDK-së do të diskutohet pikërisht për situatën e pandemisë dhe se do të kërkojnë që kategoritë e rrezikuara të stimulohen dhe mbështeten financiarisht, duke përfshirë mjekët, punëtorët shëndetësorë, pensionistët, policët.