Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK kritikon rishikimin e buxhetit nga Qeveria: Nuk i adreson nevojat e qytetarëve

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka kritikuar rishikimin e buxhetit të Kosovës që sot në Kuvend e ka paraqitur Qeveria.

Hamza tha se ky buxhet nuk i adreson nevojat e qytetarëve.

“Sot para neve kemi një buxhet që vjen për t’u rishikuar i cili nuk i adreson nevojat e qytetarëve, të ekonomisë së Kosovës. Ka një mos përputhje të plotë mes programit të qeverisë dhe dokumentit që sot po e shikojmë. Në program ka premtime që janë të parealizueshme. Në propozimin aktual për buxhet nuk ka rritje të pensioneve. Nuk ka parashikim për rritje të pensioneve për asnjë nga kategoritë e luftës.  Çka presin mjekët dhe personeli shëndetësor, çka presin arsimtarët dhe personeli arsimor, çka presin ushtarët, çka presin ata që marrin paga nga buxheti i Kosovës”, theksoi ai.

Deputeti opozitar pati një kërkesë për Qeverinë.

“Ju lus silleni Ligjin për paga në Kuvend, reflektoni vendimin e Kushtetueses dhe përmirësojeni standardin e atyre që realizojnë paga përmes buxhetit”, theksoi ai.

Ministri i Financave të Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë seancës së Kuvendit, paraqiti Projektligjin e buxhetit të rishikuar për vitin 2021.

Ai tha se me buxhetin e rishikuar për vitin 2021 shpenzimi do të jetë në total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.

“Ne si ministri kemi finalizuar përgatitjet për rishikim të buxhetit 2021 për t’u përgjigjur trendeve ekonomike që janë materializuar gjatë gjysmës së parë të këtij vit”, tha Murati

Nëpërmjet rishikimit të buxhetit për këtë vit Qeveria Kurti 2 ka thënë se synon mposhtjen e pandemisë dhe mbështetjen e sistemit shëndetësor për tu përballur me këtë situatë.