PDK kishte nisur e para 'aksionin' e heqjes së fotografisë së presidentit

Heqja e fotografisë së presidentin Hashim Thaçi për të vendosur në një pjesë tjetër të zyrës së kryetares së Kuvendit, po përdoret si arsyetim nga Partia Demokratike e Kosovës për të bojkotuar punën e Kuvendit të Kosovës.

Që nga ardhja e Vjosa Osmani në krye të këtij institucioni janë mbajtur dy mbledhje të Kryesisë së Kuvendit.

Të dy mbledhjet PDK i ka bojkotuar.

Kjo e fundit po kërkon rikthimin e fotografisë së presidentit në vendin e vet, si kusht për ta ndalur bojkotin.

Këtë njoftim e dha kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, javën që shkoi.

“PDK kërkon që fotografia e presidentit të Republikës së Kosovës, z. Thaçi të kthehet në vendin e vet, me kusht që neve të na lejohet dhe të mos na pamundësohet pjesëmarrja dhe dhënia e kontributit tonë në Kuvendin e Kosovës. Kjo është kërkesë e jona”, kishe thënë Hamza para mediave.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk e ka hequr por e ka zhvendosur fotografinë e Thaçit në një pjesë tjetër të zyrës.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Bedri Hamzën dhe nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, për të marrë një koment nëse do ta vazhdojnë bojkotin, por ata nuk kanë qenë të qasshëm.

Mirëpo, logjikën e heqjes së fotografive të presidentëve e kishte filluar pikërisht Partia Demokratike e Kosovës.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, që për disa muaj kishte ushtruar edhe postin e presidentit të Republikës, Jakup Krasniqi, kishte hequr fotografinë e Ibrahim Rugovës.

Krasniqi ishte zyrtar i PDK-së.

Në hapësirën e ‘zhveshur’ në muret e zyrës së presidentit, Jakup Krasniqi kishte vendosur deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Jakup Krasniqi gjatë kohë sa ka qenë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës

Deklarata e pavarësisë vazhdon të jetë edhe sot e vendosur kur president është Hashim Thaçi, në ballë të zyrës, ndërsa fotografitë e presidentëve janë të vendosura në anën e majtë të zyrës së presidentit.

Fotografia e ish-presidentit Rugova ishte hequr nga holli i Kuvendit edhe në ditën kur Kuvendi i Kosovës kishte shpallur pavarësinë.

Mirëpo, pas presionit të LDK-së, fotografia ishte kthyer dhe ishte vendosur përsëri.

Ndërsa, ish-presidenti Fatmir Sejdiu kishte mbajtur fotografinë e tij dhe të Ibrahim Rugovës.

Fatmir Sejdiu gjatë kohës si president i Republikës së Kosovës

Sot në zyrën e Hashim Thaçit janë të vendosura fotografitë e të gjithë presidentëve që ka pasur Kosova. Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli, Atifete Jahjaga e Hashim Thaçi kanë fotografitë e tyre të vendosura në zyrë.

Në anën tjetër, edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, nuk e mban fotografinë e Hashim Thaçit në zyrën e tij. Pas ardhjes në krye të Komunës, Tahiri kishte hequr fotografinë e presidentit duke e zëvendësuar me atë të Hasan Prishtinës.