Foto: Facebook/PDK.
PDK kërkon zbardhjen e rastit të ambasadorit Berishaj dhe largimin e tij nga detyra
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka kërkuar zbardhjen rastit ku pretendohet se është i përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në lidhje me një skandal financiar.
Çitaku i ka kërkuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti shkarkimin e menjëhershëm të ambasadorit Berishaj, për t’ i hapur rrugë siç tha ajo, institucioneve të drejtësisë që ta thonë fjalën e tyre.
Në prill të këtij viti ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është përfolur si i përfshirë një aferë të dyshimtë financiare në Slloveni.
“Kanë kaluar më shumë se një muaj që kur mediat sllovene kanë publikuar lajmin i cili përfshinte ambasadorin e Kosovës në Republikën e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në një skemë të dyshimtë të shpërlarjes së parave dhe transaksioneve të dyshimta. Pas një amnestimi të menjëhershëm që iu bë ambasadorit Berishaj nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministria e Jashtme – tash e më se një muaj mbretëron një heshtje shurdhuese. Asnjë deklaratë, asnjë njoftim, asnjë fjalë në lidhje me këtë skandal rajonal të përfaqësuesit më të lartë të Kosovës në Kroaci.”, ka thënë Çitaku.
Më tej, ajo ka thënë se shumë pyetje të cilat janë ngritur duhet të marrin përgjigje menjëherë.
“Si i është dhënë shtetësia ambasadorit Berishaj me urgjencë të jashtëzakonshme? A ka marrë agjencioni kosovar kundër korrupsionit ndonjë veprim? Prokuroria e Kosovës, a kanë iniciuar masa për deklarimin e rrejshëm të pasurisë nga Ambasadori Berishaj? A ka treguar ambasadori Berishaj se ku kanë shkuar 600 mijë euro të cilat i ka tërhequr përmes biznesit të tij të padeklaruar? Heshtja dhe mosveprimi politik insticuional nga krerët e shtetit të Kosovës është marrje në mbrojtje e ambasadorit Berishaj”, ka thënë Çitaku.
Çitaku ka shtuar se fshehja dhe mbrojtja e këtij skandali nga zyrtarët e lartë shtetërorë, nuk do ta ndihmojë Kosovën në agjendën e saj evropiane, por përkundrazi do ta minojë rrugën e drejt integrimit. Sipas saj, PDK nuk nuk do të lejojë që kjo aferë dhe skandal të harrohet në heshtje.
“Ne do të përdorim të gjithë mekanizmat institucional dhe parlamentar për të siguruar se e vërteta do të zbardhet”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është diskutuar në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi.
Sipas mediumit slloven, kompania private është në pronësi të Martin Berishajt.
Për këto ka reaguar ambasadori Berishaj dhe ka bërë të ditur se do të ngrejë padi ndaj “Planet Tv”.
Martin Berishaj është emëruar ambasadori i Kosovës në Kroaci në vitin 2021.
Reagon ambasadori Berishaj pas raportimit të medias sllovene