PDK kërkon shpalljen e gjendjes së emergjente për furnizim me energji

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes anëtarit të kryesisë, Bernard Nikaj ka kërkuar që në Kosovë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për furnizim me energji.

Nikaj përmes një konference për media, ka fajësuar qeverinë për neglizhencë pastaj edhe dështim  në trajtimin e krizës energjetike.

“Përkundër kësaj, Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka neglizhuar problemin dhe ka dështuar të hartojë e të ndërmarrë masa të cilat së paku do të krijonin një siguri në përballje me këtë krizë”, ka thënë ai.

Përveç shpalljes së gjendjes emergjente, PDK dhënë edhe disa propozime për qeverinë Kurti, e të cilat janë si në vijim:

–         Të shpallet gjendje emergjente në furnizim sipas ligjit për energji, e cila më pas do të rriste kompetencat e qeverisë për të intervenuar në treg.

–         Të mos lejohet rritja e çmimit të energjisë për qytetaret, të cilët të goditur nga pasojat e pandemisë do ta rendoheshin edhe me shumë.

–         Edhe pse në mes të krizës, në buxhetin të aprovuar para pak ditësh nuk kemi asnjë shkronjë apo linjë buxhetore që adreson këtë situatë emergjente. Andaj ne kërkojmë qe në mënyrë urgjente te ndahet një fond i furnizimit emergjent për vitin 2022 i cili ne vazhdimësi dhe varësisht nga prodhimi vendor si dhe nevoja për import do të garantonte furnizim të sigurte me energji për të gjithë qytetarët dhe bizneset.

–         Te hiqet për periudhën e krizës tantiema ne qymyr KEK-ut dhe proporcionalisht te ulet çmimi ne mënyrë qe efektet pozitive te barten tek qytetari.

–         Të ketë plan dhe transparencë ne orarin e ndaljes se furnizimit ne mënyrë qe qytetarët të jenë në gjendje të bëjnë planifikimet e aktiviteteve ditore

–         Sensibilizimin e krejt mekanizmave ndërkombëtarë dhe në veçanti BE që të kërkojë përgjegjësi nga  Serbia në përgjegjësi e cila me bllokimin e linjave dhe pamundësinë e alokimit te kapaciteteve ndërkufitare po e vështirëson importin dhe po e rrit koston edhe ashtu të lartë të këtij importi në këtë periudhë. Një gjë cila sanksionohet rreptë edhe me Traktatin e Komunitet te Energjisë, ku palë nënshkruese janë edhe Serbia dhe Kosova.

–         Ndërmarrjen e të gjitha hapave te nevojshme për të adresuar situatën me furnizimin e energjisë në veri.