
PDK kërkon shkarkimin e ministrit Faton Peci
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit dhe fillimin e hetimeve për grantin e ndarë nga Ministria e Bujqësisë, sipas PDK-së, për vëllaun e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacollin.
Anëtari i kryesisë së PDK, Arben Mustafa, në një konferencë për media ka kërkuar po ashtu shkarkimin e deputetes Fitore Pacolli nga pozita e kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi.
Mustafa ka thënë se zbulimi i “skandalit” siç e ka quajtur ai, të përfitimit të grantit në vlerën rreth 100 mijë euro nga vëllau i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli, përbën dëshmi, sipas tij, se “si zyrtarët më të lartë shtetërorë të këtij pushteti po i shfrytëzojnë dhe i shpërdorojnë institucionet publike për të përfituar ata dhe familjarët e ngushtë të tyre nga paratë e taksapaguesve të Kosovës”.
“Ky skandal nuk është aspak i rastësishëm sepse Fitore Pacolli është Kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, komision të cilit i raporton Ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Siç u dëshmua tani më, vëllai i deputetes Pacolli, biznesin e tij e kishte themeluar pas aplikimit për projekt dhe vetëm 4 ditë para nënshkrimit të kontratës, gjë që ngre dyshime të mëdha për montimin dhe orkestrimin e përfitimit të këtij projekti, për motive të cilat duhet të zbardhen nga insititucionet e drejtësisë” – ka thënë Mustafa.
Tutje, Mustafa ka thënë se ministri Peci do të duhej të raportonte në Komisionin Parlamentar për Bujqësi, por sipas tij, deputetja Pacolli nuk e ka kredibilitetin që ta ftojë ministrin në raportim “për shkak të konfliktit të interesit”.
“Prandaj, ne kërkojmë shkarkimin e Fitore Pacollit nga pozita e kryetares së këtij komisioni, pasi që konsiderojmë se këtë funksion e ka shfrytëzuar me qëllim të ushtrimit të ndikimit, i cili ka quar në përfitimin e grantit në vlerë rreth 100 mijë euro nga vëllau i saj. Nga ana tjetër, për ministrin Peci, as dorëheqja e as shkarkimi nuk mjaftojnë. Ndaj tij kërkojmë që të zhvillohen hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro dhe nëse ky përfitim është rezultat i raportit të vartësisë zyrtare që ky ministër e ka me komisionin të cilin e udhëheqë Fitore Pacolli” – ka thënë Mustafa.
Më tej, anëtari i Kryesisë së PDK – së ka folur edhe për buxhetin e vitit 2025, duke thënë se deputetëve nuk i është dhënë kohë e paraparë për të propozuar amandamentet e tyre.
“Tash po krijohet dyshimi i bazuar se në buxhetin 2025 kanë kurdisur përfitime të tilla për njerëzit e tyre, pavarësisht faktit se ky pushtet nuk do të jetë aty për ta zbatuar buxhetin e ardhshëm” – ka thënë ndër të tjera Mustafa.
Më 16.11.2024 u raportua në media se Ministria e Bujqësisë i ka dhënë grant prej 100 mijë eurove vëllait të deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, ndërsa ka refuzuar t’i japë grant Kooperativës Bujqësore “Krusha”.
Ministri Faton Peci, raportimet i ka quajtur “shpifje.”
Reagimin e ministrit e ka shpërndarë deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli.
Kurse KB “Krusha” për refuzimin e grantit ndaj tyre, ka reaguar duke shprehur zhgënjim për situatën.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook KB “Krusha”, e cila drejtohet nga Fahrije Hoti, thekson se refuzimi u bë me arsyetimin se “mungonin dokumentet plotësuese lidhur me trajtimin e ujërave dhe përshkrimin teknologjik të procesit të prodhimit”.
Në lidhje me këtë reagim të KB “Krusha”, KALLXO.com kontaktoi me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci. Ai nuk iu përgjigj thirrjes telefonike, por dha një përgjigje përmes SMS-it.
Ministri nuk komentoi direkt rastin, por kërkoi të drejtohemi tek këshilltarja e tij, Flutur Mustafa.
“Çka të doni krejt ju japim. Kontaktoje nesër Fluturën ne jemi libër i hapur” – u përgjigj ministri për KALLXO.com.KALLXO.com përmes e-mailit ka kërkuar qëndrim nga Ministria e Bujqësisë dhe zyrjarja në fjalë Flutur Mustafa, lidhur me pretendimet e KB “Krusha” dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.
Kooperative “Krusha” udhëhiqet nga gratë, burrat e të cilave janë vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Biznesi i tyre zhvillohet nga fshati Krushë e Madhe në komunë të Rahovecit.