PDK kërkon shkarkimin e ministrit Blerim Reka pas deklaratës në “Jeta në Kosovë”

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas disa deklaratave të ministrit të Integrimit Evropian, Blerim Reka, i cili ishte mbrëmë në një intervistë në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Sipas PDK-së, deklarimet e Rekës janë rrezikshme për shtetin e Kosovës.

“Si kompromis për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Ministri i Vetëvendosjes ka propozuar që Serbisë t’i hapet korridori për daljen në Detin Adriatik. Kjo ide e Ministrit të Vetëvendosjes është rehabilitim i të gjitha përpjekjeve historike serbe, që nga Naçertanje, luftërat ballkanike, projektet e Nikola Pashiqit, Jovan Cvijiqit, e Ivo Andriçit, për ta zhbërë jo vetëm Kosovën, por edhe shtetin shqiptar”, thuhet në reagimin e PDK-së.

“Ideologu serbomadh Cvijiq, duke dashur ta arsyetonte aneksimin e Shqipërisë së Veriut dhe daljen në Detin Adriatik, e kishte quajtur këtë hap si interes ekonomik dhe domosdoshmëri anti-etnografike. Me një fjalë, atë që nuk kanë mundur ta bëjnë ideologët serbo-mëdhenj, që ishte përpjekje shekullore serbe për të dalë në Detin Adriatik, po mundohet ta realizojë një parti e vetëquajtur nacionaliste – Vetëvendosje”, thuhet tuje në reagimin e partisë më të madhe opozitare në vend.

“Ky propozim është anti-kombëtar. I rrezikshëm në përmbajtje për kombin shqiptar, mohues për shtetin e Kosovës dhe nxitës i realizimit të aspiratave historike serbe për krijimin e Serbisë së Madhe, me qasje në Detin Adriatik. PDK nuk do ta lejojë asnjë ide që cenon shtetin dhe sovranitetin e Kosovës. Kryeministri Kurti duhet urgjentisht të reagojë me shkarkimin e menjëhershëm të Ministrit Blerim Reka dhe të distancohet nga një qëndrim i tillë anti-kombëtar”, thuhet në fund të reagimit.

Kjo është intervista e plotë ku Reka përmend daljen në det të Serbisë:

Hulumtim: Frika nga Presidenca dhe Intervistë: Blerim Reka, Ministër i Integrimeve Evropiane

www.kallxo.com