Tahiri dhe Deliu- Kodra në konferencë për media/ Foto: PDK

PDK kërkon shkarkimin e ministres Rozeta Hajdari

Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që ta shkarkojë nga detyra ministren e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.

Shefi i grupi parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe deputetja Blerta Deliu Kodra, kanë kërkuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti të shkarkojë ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Tahiri ka thënë se një ministre e cila nuk e deklaron pasurinë, duhet të shkarkohet.

“Në kodin e procedurës penale që ne kemi miratuar në Kuvend, parashihet suspendimi i zyrtarëve të lartë publikë të cilët kanë aktakuza për krim të organizuar dhe korrupsion. Sot, Vetëvendosje e ka një ministre e cila ka aktakuzë për mos deklarimin e pasurisë, atëherë çfarë roli ka kodi i procedurës penale që ne e kemi miratuar? Kjo është e paparanueshme” – ka thënë Tahiri në një konferencë për media.

Ai ka kërkuar nga kryeministri Kurti të shkarkojë ministren deri të premten.

“Përndryshe, do të nisim një Mocion përmbajtjesor në Kuvendin e Kosovës, do të kërkojmë përmes seancës votimin e një rezolute që i bën thirrje Kryeministrit ta shkarkoj Rozeta Hajdarin” – ka shtuar Tahiri.

Ndërkaq, deputetja Deliu Kodra ka thënë se ministrja ka pasur skandale të panumërta dhe sipas saj e njëjta duhet të shkarkohet.

“Ministrja Hajdari ka pasur skandale të panumërta dhe, së fundmi, ne kemi kërkuar ta shohim padinë të cilën thuhet se e kanë bërë ndaj revistës franceze. Ministria e udhëhequr nga Rozeta Hajdari ka thënë se kanë filluar proceduar për padi, por rezultate nuk kemi parë në lidhje me promovimin e Kosovës si vend ku lindën manastiret serbe. Pas të gjitha këtyre skandaleve, ajo duhet të shkarkohet nga Kryeministri” – tha Deliu-Kodra.

KALLXO.com kishte raportuar në mars të këtij viti, se Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) kishte dorëzuar kallëzim penal kundër ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.

“Ju njoftojmë se Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) për zyrtarin në fjalë ka përcjellë kallëzim penal në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhej në përgjigjen e AKK-së për KALLXO.com.

Sipas Agjencisë, ministrja Hajdari dyshohet për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave dhe dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në lidhje me këtë, Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për mosdeklarim të pasurisë.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Më 13 tetor 2022, Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë kundër R.H për mos deklarim të pasurisë” – thuhet në përgjigjen e saj.

Aktakuzë ndaj ministres Rozeta Hajdari për mosdeklarim të pasurisë