PDK kërkon shkarkimin e ministres Bajrami dhe ministrit Kuçi

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se çështja e vjedhjes së 2 milionë eurove nga Thesari, shuarja e Task Forcës Anti Korrupsion në Polici dhe fitimi i tenderit nga kompania e ministrit Blerim Kuçi, janë skandale të Qeverisë Hoti.

Sipas tij këto skandale po e dëmtojnë integritetin e institucioneve publike të Kosovës dhe se ministrja e Financave Hykmete Bajrami dhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit Blerim Kuçi, duhet të shkarkohen.

“Ne kërkojmë nga Kryeministri Hoti, që përmes shkarkimit të këtyre dy ministrave, si dhe tërheqjes së vendimit për shuarjen e Task Forcës Kundër Korrupsionit, ta shënojë aktin e parë të ndaljes së degradimit të mëtejmë të qeverisjes në vend” tha ai në një konferencë për media.

Sipas tij, shuarja e Task Forcës Kundër Korrupsionit në Policinë e Kosovës, ka qenë një vendim i dëmshëm, i pa arsyeshëm, i pa bazë dhe i motivuar politikisht për të goditur rendin dhe ligjin.

“Në vend të inkurajimit për efikasitet kundër korrupsionit, Qeveria Hoti, ka inkurajuar kriminalitetin dhe korrupsionin, që në ditën kur ka marrë vendim për shuarjen e Task Forces” tha Tahiri.

Ai tha se pa këtë Task Forcë, të sigurtë janë vetëm zyrtarët e korruptuar të nivelit të lartë.

Ndërsa për rastin e “avullimit” të 2 milionë eurove ai tha se ka treguar se me çfarë pasigurie po menaxhohet buxheti i taksapaguesve të Republikës së Kosovës dhe se ministrja e Financave, Hykmete Bajrami duhet të jap dorëheqje të parevokueshme.

“Depërtimi kaq i lehtë në keqpërdorimin e buxhetit të Republikës, është një sinjal i pasigurisë që është dërguar tek partnerët tanë, tek investitorët e huaj dhe mekanizmat ndërkombëtar financiar” tha Tahiri.

Kurse, për fitimin e tenderit nga kompania e Blerim Kuçit ai ka kërkuar që se për afër 9 vitet e administratës ndërkombëtare, dhe 12 vitet e pavarësisë nuk ka pasur një precedent të tillë të rrezikshëm për integritetin e institucioneve publike, sesa ky rast kur kompania përfiton ntender nga Qeveria.