PDK kërkon debat parlamentar për “përfshirjen e Radoiçiqit në vendimmarrjen e Kuvendit”

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në seancën plenare të 10.10.2024 ka kërkuar që të shtyhet rendi i ditës i paraparë për këtë të enjte, dhe të flitet për siç tha ai, “për involvimin e Radoiçiq-it në vendimmarrjen e Kuvendit të Kosovës”.

Ai tha se Millan Radoiçiq bashkë me deputeten Mimoza Kusari- Lila e kanë përcaktuar pagën minimale në Kosovë.

“Këta dy persona kanë lënë jashtë pagës minimale kategoritë më të ndjeshme në vendin tonë, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe invalidët e luftës. Ajo që është më tragjike-  të dy bashkë paskan pasë edhe kandidat të përbashkët për Gjykatën Kushtetuese. Këtu dua t’i falënderoj edhe disa deputetë të LVV-së që e kemi pamundësuar kandidatin e Millanit dhe të Mimozës, tashmë personin që shërben si zv. ministër i Drejtësisë, z. Vigan Qorolli ta pamundësojmë shkuarjen e tij në Gjykatën Kushtetuese si gjyqtar në këtë Gjykatë”,- ka thënë Tahiri.

Ai ka theksuar gjithashtu se “personi që e ka vra direkt apo ushtarët e tij, Afrim Bunjakun, e ka përcaktu vendimmarrjen e Kuvendit të Kosovës”.

“Sot ky vendi jonë i punës është kriminalizu aq shumë sa që s’ja vlenë me u fol për asgjë tjëtër pos për këtë gjë. Kryetar i Kuvendit na e mundësoni një gjë të tillë. Kur cenohet siguria kombëtare e vendit tonë nuk ka çështje më të rëndësishme për t’u diskutuar në këtë Kuvend”, – ka shtuar tutje Tahiri.

Ai kërkoi nga Kusari Lila që t’i kërkoj falje Grupit Parlamentar të PDK-së.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq e kishte marr përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Millan Radoiçiq akuzohet se ka siguruar para që nga 2017-ta e deri më 24 shtator 2023 për të blerë armatim të rëndë e për t’i paguar pjesëmarrësit e tjerë të grupit për kryerje të veprimtarisë kriminale.

Dosja e Prokurorisë Speciale e siguruar nga KALLXO.com sqaron se Radoiçiq, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, dhe pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për armatim të rëndë.