PDK kërkon nga Qeveria që të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media tha se Kosova është në momentin kyç për aplikim në Këshillin e Evropës.

Çitaku theksoi se deri tani kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të ndikimit të Rusisë, por me krijimin e një situatë e re, ku kjo fundit është suspenduar nga Këshilli i Evropës për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, sipas saj, është momentumi që Qeveria e Kosovës të nisë procedurën e anëtarësimit.

“Kjo është një rrugë në të cilin jemi nisur dhe Kosova ka destinacion, mirëpo është koha ta ndryshojmë ritmin dhe Qeveria jonë duhet ta zë këtë ritëm. PDK e ka mbështetur dhe ka dhënë kontribut në rezolutën e miratuar në Kuvend, mirëpo ne vlerësojmë që është momenti kyç vendimtar për aplikim në Këshillin e Evropës. Me largimin e Rusisë nga KE, Kosovës i është hapur një mundësi për anëtarësim”, tha ajo.

Çitaku shtoi se PDK ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që rishikoj buxhetin dhe t’i shtojë edhe 100 milionë euro për Ushtrinë.

“Ne i kemi kërkuar Qeverisë së Kosovës që menjëherë ta rishikoj buxhetin për këtë vit për të shtuar 100 milionë euro për Ushtrinë në mënyrë që Kosova të rris kapacitetet e veta , ndërsa çdo vit me buxhet të përfshihen së paku 2% e GDP së vendit”, tha më tej ajo.

Nënkryetarja e PDK-së ka kërkuar që Qeveria ta rris aktivitetin e saj në rrafshin diplomatik.

“Reagimi i kërcënimit të vendit të sigurisë nuk mund të zëvendësojë në mënyrë afatgjate atë për cilën Kosova ka nevojë anëtarësimi në BE dhe NATO dhe për këtë arsye duke parë zhvillimeve që po ndodhin, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të rris aktivitetin në rrafshin diplomatik”, tha Çitaku më tej.

Rusia është suspenduar nga Këshilli i Evropës pas pushtimit të Ukrainës.

Këshilli i Evropës u formua pas Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në të gjithë kontinentin dhe është e ndarë nga Bashkimi Evropian.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.