Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK kërkon nga Qeveria Kurti të jetë më serioze në sigurimin e vaksinave

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të punojë në sigurimin e vaksinave shtesë kundër COVID-19.

Tahiri kërkoi përgjegjshmëri dhe seriozitet nga qeveria për këtë çështje.

“Kërkojmë nga ju që të jeni më të përgjegjshëm dhe më serioz në sigurimin e vaksinës. Nuk mjafton komunikimi me SMS-a me kryeministrat e rajonit që ju të siguroni vaksinën për qytetarët e vendit tonë”, tha ai.

Sipas PDK-së, Qeveria nuk po i vlerëson të rëndësishme problemet që po e karakterizojnë vendin.

“Po kërkojmë që edhe nëse nuk keni program fare, të paktën ta keni një lloj vizioni të përgjithshëm, të na sjellin në këtë Kuvend qoftë edhe si ide për të debatuar për rimëkëmbjen ekonomike, për punësim, për sigurinë sociale, për investime. Sepse këto që janë kaq të rëndësishme  për qytetarët, fatkeqësisht nuk po duken të jenë as emergjente dhe as të rëndësishme për kryeministrin dhe qeverinë tonë”, theksoi ai.