Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK kërkon nga deputetët të mbështesin Projektligjin për Pensionet e policëve dhe punonjësve të IPK-së

Partia Demokratike e Kosovës iu ka bërë thirrje Qeverisë dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të mbështesin Projektligji për Pensionet e policëve dhe punonjësve të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Deputetja nga radhët e PDK-së dhe anëtare e Komisionit për Siguri, Ganimete Musliu, ka thënë se për tri herë radhazi ka ndodhur dështimi i miratimit të këtij projektligji.

“Që nga data 17 nëntor të këtij viti e deri më tani me bojkotimin e LVV-së në tri mbledhje radhazi është pamundësuar kuorumi që të votohet në parim ky projektligj dhe ti dërgohet seancës. Ky bojkotim i partisë në pushtet bëhet pa asnjë arsye përmbajtjesore, vetëm nga inati se ky projektligj për policinë e ka ideuar PDK” – tha Musliu.

Sipas Musliut, kjo nismë legjislative është në dobi të Policisë e sistemit të sigurisë dhe se përmes tij, do të propozohet rregullimi ligjor i njohjes së të drejtës në pension për zyrtarë policorë dhe punonjësit e Inspektoratit Policor me autorizime policore.

“Ne kemi vlerësuar se është në dobi të Policisë por edhe të sistemit të sigurisë që përmes këtij ligji të ndihmojmë ripërtëritjen e Policisë së Kosovës e që aktualisht fatkeqësisht figuron si më e vjetra në rajon. Me këtë projektligj propozohet rregullimi ligjor i njohjes së të drejtës në pension për zyrtarë policor dhe punonjësit e Inspektoratit Policor me autorizime policore”- u shpreh deputetja.

“Me këtë projektligj janë propozuar katër lloje të pensioneve: pensioni i rregullt, pensioni invalidor dhe pensioni familjar dhe vullnetar” – shtoi ajo.

Musliu iu ka bërë thirrje Qeverisë dhe deputetëve të LVV-së që siç u shpreh ajo “t’i lënë inatet politike dhe ta mbështesin miratimin e këtij projektligji”.

“Ne kërkojmë që urgjentisht dhe pa vonesa Qeveria të sigurojë gjithçka që duhet, që Policia të kenë kushtet e nevojshme për të zbatuar rendin dhe ligjin në veri të Kosovës. I bëjmë thirrje kryeministrit dhe deputetëve të LVV-së që ti lejnë inatet politike dhe ta mbështesin miratimin e këtij projektligji”- theksoi ajo.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së gjithashtu anëtar i komisionit, Rashit Qalaj, tha se PDK-ja do të insistojë deri në miratimin e këtij projektligji.

“Ne si PDK do të insistojmë edhe në vazhdim që ky ligj të vie në Kuvend dhe do të bëjmë të pamundurën që të bindim të gjithë deputetët që janë në parlament që ky ligj të kalojë dhe t’i mundësojë Policisë të rrisë kapacitetet operacionale të saj” – tha Qalaj.

“Përveç Ligjit për Pensionim të Parakohshëm të mendojë urgjentisht për sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor, gjithmonë duke pasur parasysh gjendjen që e kemi sot, angazhimin e Policisë sidomos në komunat veriore të vendit, angazhimin e tyre me orar të zgjatur dhe në kushte shumë të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e tyre” – shtoi deputeti.

Votimi në parim i këtij projektligji ka dështuar edhe në mbledhjen e djeshme të Komisionit për Siguri.

Deputetët në pozitë nuk kanë marr pjesë në votim ndërsa nuk ka pasur diskutime për këtë pikë pasi sipas kryetarit ato janë shterur herën e kaluar që ky projektligj ka ardhur në komision.

Kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, pas mbledhjes së komisionit para mediave tha se e mbështetë këtë projektligj por se deputetët e pozitës nuk po marrin pjesë në votim.