Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu

PDK kërkon miratimin e ligjit anti-COVID dhe rritjen e pagave për punëtorët shëndetësor

Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka kërkuar miratimin e ligjit anti-COVID derisa ka kërkuar edhe ndëshkime të rrepta ndaj mosrespektimit të masave.

“Kjo situatë është përgjegjësi e Qeverisë dhe Kuvendit që të veprohet sa më shpejtë që të votohet Ligji Anti-COVID-19. PDK do ta mbështesë këtë iniciativë”, u shpreh Haxhiu në konferencë për media.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu deklaroi se qeveria Hoti është duke i vazhduar gabimet e qeverisë Kurti.

“Gabimet e ish Qeverisë Kurti në menaxhimin e pandemisë po vazhdojnë edhe nga Qeveria e re. Fatkeqësisht, nuk janë dëgjuar thirrjet e përsëritura të PDK-së që nga fillimi që të rritet numri i testimeve në nivel të Kosovës dhe të decentralizohet edhe në komuna. Kosova ka kapacitete të paktën të bëjë testime deri në 1 mijë në ditë”, u shprehë Haxhiu.

Tutje, PDK ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të merr vendim të veçantë për të rritur pagat e profesionistëve shëndetësor.

“Kërkojmë urgjentisht që Qeveria e Kosovës me vendim të veçantë ti rritë pagat e profesionistëve shëndetësorë ashtu siç ishte planifikuar me Ligjin e Pagave duke shtuar edhe rritjen sipas kërkesave të infermierëve”, tha në mes tjerash Haxhiu.