PDK kërkon krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për vdekjen e 26 vjeçarit

Partia Demokratike e Kosovës përmes një konferencë për media ka kërkuar krijimin e një komisionit hetimor parlamentar që do të hetonte rastin e vdekjes së 26 vjeçarit A.M. në qendrën e studentëve, që është shndërruar në karantinë nga ana e institucioneve vendore.

A.M. i cili ishte kthyer nga Gjermania dhe ishte i vendosur në karantinë në konviktet e qendrës së studentëve kishte vdekur të dielën në orët e mbrëmjes.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha në një konferencë për me ka kërkuar krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar që do të bënte hetimin e rastit.

“Duke pasur parasysh rëndesën dhe seriozitetin e ngjarjes dramatike të ndodhur si dhe përgjegjësitë e mëdha të institucioneve shtetërore që kufizuan lirinë e tij dhe duhej të kujdeseshin për të, Partia Demokratike e Kosovës, propozon krijimin e një komisioni hetimor parlamentar të posaçëm. Kujtoj se përveç funksionit legjislativ, një ndër funksionet më të rëndësishme që ushtron Kuvendi i Kosovës është ai i mbikëqyrjes së Qeverisë dhe i kërkimit të llogarisë dhe vënies para përgjegjësisë për të gjitha veprimet e ndërmarra prej saj”, ka deklaruar Hoxha para mediave.

Sipas Hoxhës ky komision parlamentar do të hetonte veprimet e qeverisë gjatë periudhës së pandemisë duke u marrë në mënyrë të veçantë me përgjegjësitë institucionale që shkaktuan vetëvrasjen e 26 vjeçarit Agon Musliu.