PDK kërkon hetim për Telekomin, akuzon VV-në për përfshirje në këtë rast

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka ndarë shqetësimin për zhvillimet e fundit lidhur me Telekomin e Kosovës, e cila sipas PDK-së dikur ishte ndërmarrja publike më profitabile në vend, ndërsa sot është buzë shkatërrimit.

Në një konferencë për media, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sejdi Hoxha nga radhët e PDK-së, ka akuzuar madje edhe VV-në se të tjera fjalë po thotë në opozitë e të tjera kur po e merr pushtetin sa i përket temës së Telekomit.

Sipas tij, është pikërish vëllai përmbarues i deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku që ka bllokuar llogaritë bankare të Telekomit.

“Ditë më parë, përmbaruesi privat i paguar nga z-mobile e që doli të jetë vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Kollçakut, ka bllokuar llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës, duke e sjellë atë buzë falimentimit, ndërsa vetë pret t’i fitojë qindra mijëra euro nga ky proces. Një veprim i tillë rrezikon mirëqenien ekonomike të rreth 3500 familjeve kosovare, ndërsa kërcënon edhe sigurinë nacionale përmes ndërprerjes së komunikimit të institucioneve të sigurisë kombëtare në Kosovë”, ka thënë Hoxha.

Ai ka thënë se PDK, si parti opozitare, kërkon hetim të hollësishëm nga Prokuroria për këtë proces dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë atyre që kanë shkaktuar këtë gjendje në Telekomin e Kosovës.

“Lëvizja Vetëvendosje, gjatë kohës sa ishte në opozitë, në vitin 2018, kishte iniciuar dhe aprovuar një Rezolutë në Kuvendin e Kosovës për Telekomin e Kosovës, por kur erdhi në pushtet asnjë nga pikat e kësaj Rezolute që e kishte propozuar vetë – nuk e zbatoi. Qeveria Kurti e kishte mundësinë për ta ndihmuar këtë ndërmarrje sa ishte në pushtet, por nuk e bëri një gjë të tillë. Sepse, qëllimi i Qeverisë Kurti nuk ishte krijimi i stabilitetit në këtë ndërmarrje, e as shpëtimi i saj, por ishte politizimi dhe kapja e kësaj ndërmarrjeje, duke filluar nga bordi, menaxhmenti e deri te përzgjedhja e përmbaruesit privat”, ka thënë Hoxha.

Hoxha tutje ka thënë se ish-Ministrja Rozeta Hajdari dhe Qeveria Kurti, me mosveprimet e tyre, duke mos ndërmarrë hapa ligjorë dhe duke mos bërë asnjë veprim që do ta parandalonte një dëmtim kaq të madh financiar të Telekomit të Kosovës, mundësuan që pastaj edhe përmes përmbaruesit, vëllait të Deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Kollçakut, ta realizojnë këtë transaksion prej rreth 30 milionë eurosh – duke e gjunjëzuar kështu Telekomin, e duke përfituar familjaret e saj.

“Është shumë me rëndësi për opinionin publik që ta kuptojë faktin se trekëndëshi i përbërë nga Bordi i Qeverisë Kurti, menaxhmenti politik i kësaj ndërmarrjeje, si dhe Operatori Z-mobile, jo rastësisht në mesin e qindra përmbaruesve zgjodhën në këtë lëndë vëllain e Deputetes së Vetëvendosjes, i cili do të përfitojë qindra mijëra euro nga buxheti i kësaj ndërmarrje. Është e qartë se Bordi politik i Telekomit të Kosovës, i emëruar paligjshëm nga Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, qëllimisht po e falimenton këtë ndërmarrje publike”, u shpreh Hoxha.

Hoxha ka kërkuar përgjigje për pyetjet se “Sa do të paguhet vëllai i Deputetes Fatmire Kollçaku nga kjo pagesë në kurriz të Telekomit dhe punëtoreve të kësaj ndërmarrjeje? A ka ai përqindje përfitimi nga kjo kontratë? Si është e mundur që nga qindra përmbarues qe janë në Kosovë në këtë lëndë të përfitojë pikërisht familjari i Deputetes së VV-së? Për me shumë se 100 ditë qeverisje, Albin Kurti e Vetëvendosje patën harruar krejtësisht që ekziston mbiemri Devolli. Prandaj, si ka mundësi që pikërisht nga bordi i tyre, drejtorët e tyre dhe përmbaruesit e tyre, sot të rrezikohet përfundimisht ekzistenca e Telekomit të Kosovës?”.

Sipas Hoxhës, Lëvizja Vetëvendosje ka ndërtuar teori të mashtrimit në emër të çrrënjosjes së krimit, ndërsa me veprimet e saj të instalimit të njerëzve politikë në ndërmarrje publike i ka kontribuar dështimit të menaxhimit në këto ndërmarrje, duke kurdisur raste të cilat i çojnë ndërmarrjet drejt falimentimit.

“Qeveria Kurti ka ndërtuar lidhje piramidale jo vetëm në Telekom, por edhe në ndërmarrje tjera publike, si në KEK, ku jo rastësisht ushtrues detyre i Kryeshefit është zgjedhur Luigj Imeri, i cili ka lidhje familjare me Deputeten e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje sot po përpiqen ta kamuflojnë këtë fakt dhe ta krijojnë një target të ri ku ata do të gjuanin për të përfituar politikisht. Por, opinioni nuk mund të manipulohet dot, sado që Albin Kurti tenton t’i mashtrojë pafundësisht qytetarët. Përtej debatit politik, Partia Demokratike e Kosovës konsideron së ky është momenti i fundit për të vepruar drejt, e për të ndihmuar shpëtimin e Telekomit të Kosovës”, ka thënë Hoxha.

Sipas Hoxhës, ata të cilët e dëmtuan këtë ndërmarrje duhet të japin llogari, ndërsa fati i punëtoreve të Telekomit të Kosovës nuk duhet t’i lihet rastësisë.

“Përkundrazi, institucionet duhet të ofrojnë zgjidhje konkrete dhe të shpejtë për shpëtimin e kësaj ndërmarrje”, ka përfunduar Hoxha.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka raportuar për reagim e Lëvizjes Vetëvendosje, sipas të cilës, Telekomi i Kosovës ato pak të ardhura që i ka në këto momente i ka për pagat e punëtorëve dhe operimin shërbimeve bazike, që me shumë kujdes e kursim po i përdorë menaxhmenti i ri.

Ka disa ditë që kur xhirollogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar si pasojë e përmbarimit të borxhit rreth 25 milionësh nga kompania Dardafone (Z Mobile) që kishte fituar gjykimin në Arbitrazh

Sipas Sindikatës, protestat janë të pashmangshme sepse janë mbi 3500 punëtorë që punojnë aty dhe rrjedhimisht me falimentimin e Telekomit këto familje do të mbeteshin pa të ardhura mujore.

“Nga e hëna ne do të protestojmë nëse nuk zhbllokohen llogaritë sepse 3500 familje mbesin pa bukë, ne do të kërkojmë edhe ndihmën e qytetarëve. Nuk do të respektojmë as virus as kurgjo. Ju them që të mos ndihen komod as Devolli e as Përmbaruesi sepse ne do të protestojmë të gjithë. Ne kërkojmë nga instuitucionet që të zhbllokojnë llogaritë ose ne do të protestojmë. Ne jemi të shqetësuar dhe kemi kontaktuar me menaxhmentin. Neve protestat na imponojnë fëmijët, familjet sepse kur të bëhet i pari e kur nuk do të kemi rrogë me cu në shtëpi atëherë është shumë ke”, u tha në konferencën e Sindikatës.

Ditë më parë, Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Vetëvendosje reagon për bllokimin e llogarive në Telekom