PDK kërkon debat parlamentar për politikën e jashtme

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, tha se si grup parlamentar kanë kërkuar debat në Kuvendin e Kosovës lidhur me politikën e jashtme.

“E kemi parashtruar kërkesën për debatin parlamentar për politikën e jashtme. PDK është e vetëdijshme për situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi sa i përket një situate jashtëzakonisht të rëndë me politiken e jashtme dhe kemi parashtruar tash e dy javë kërkesë në kryesi”, tha ajo, duke shtuar se kryeministri dhe ministrja e jashtme nuk kanë qenë në Kosovë.

Sipas saj më datën 12 prill është vendosur që të zhvillohet ky debat.

“Është debat që i kontribuon vendit dhe i kontribuon qeverisë. Më 12 në një seancë të re të diskutohet lidhur me politikën e jashtme në Republikën e Kosovës”, tha ajo.

Sa i përket performancës së presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, në një vjetorin e marrjes së detyrës, Deliu Kodra tha se si PDK e kanë shprehur disa herë shqetësimin lidhur me pozicionin e saj.

“Ajo do të duhej ta paraqes unitetin, të jetë aty ku shqetësimet e qytetarëve janë tejet të larta dhe të jetë e zëshme në pikat e agjendës së përgjithshme”, tha ajo.

Deliu Kodra konsideron që presidentja do të duhej të ishte në nivel të detyrës jo vetëm kur ajo e konsideron që duhet ta bëjë një gjë të tillë po sa herë cenohen interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.