PDK kërkon debat parlamentar për gjendjen në shëndetësi

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri ka njoftuar se si parti kanë kërkuar debat parlamentar dhe votimin e një rezolute për gjendjen në shëndetësi.

“Si grup parlamentar i PDK-së kemi kërkuar votimin e një rezolute për gjendjen në shëndetësi. Që një kohë të gjatë ky sektor ka mbetur pa ministër dhe e shohim që nuk e ka fokusin e qeverisë dhe kryeministrit. Është e patolerueshme ky sektor siç është shëndetësia të mbetet pa ministër” – tha Tahiri.

Tahiri tha se ka degradim të shërbimeve dhe kjo situatë e rëndë sipas tij po ndikon në xhepin e qytetarëve të Kosovës.

“Janë qytetarët që duhet t’i blejnë medikamentet pa marrë parasysh gjendjen politike të shëndetësisë dhe sektori i shëndetësisë në përgjithësi. Ju keni parë edhe raportin e auditorit për QKUK dhe Ministrinë e Shëndetësisë që ka shumë afera korruptive dhe ka shumë parregullsi. Do të kërkojmë debat për gjendjen në shëndetësi dhe votimin e një rezolute” – shpreh Tahiri.

Sipas tij, javën që vjen do të jenë për votim edhe kandidatët për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Si shpreson që do të arrijnë të bëjnë zgjidhje për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Sa i përket takimit të presidentes me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, Tahiri tha se ju takon institucioneve përgjegjëse që mos të lejojnë vakum institucional, që të ndihmojnë mbarëvajtjen e punës në gjitha institucioneve duke përfshirë komuna, polici, prokurori, gjyqësor e kështu me radhë.