Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK-ja zgjedh kryetarin e ri më 3 korrik

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do ta zgjedhë kryetarin e ri të partisë më 3 korrik.

Kështu bëhet e ditur përmes një komunikate për media, sipas të cilës, kryesia e PDK-së ka marrë vendim për mbajtjen e konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

“Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendimin për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë më 3 korrik 2021, ditë e shtunë. Këtij vendimi i ka paraprirë një debat i gjatë në të gjitha nivelet e partisë që ka filluar pas përfundimit të zgjedhjeve të 14 shkurtit”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, kryesia ka udhëzuar organet e partisë për fillimin e menjëhershëm të përgatitjeve për organizimin e konventës zgjedhore të partisë.

PDK është prej fillimit të nëntorit të vitit të kaluar me ushtrues detyre të kryetarit, Enver Hoxhajn, pas dhënies së dorëheqjes të ish-kryetarit Kadri Veseli, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj këtij të fundit nga Gjykata Speciale.

Enver Hoxhaj ishte edhe kandidat për kryeministër nga PDK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit.