PDK-ja mban tubim në zyrën në Prishtinë
Në prag të zgjedhjeve të parakohshme, subjektet politike kanë nisur që të mbajnë tubime me simpatizues me një numër të madh të personave, në kundërshtim me vendimet e Qeverisë për masat kundër COVID-19.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zhvilluar një takim sonte në zyrën e saj me një dhjetëra qytetarë.
Shumica nga ta shihen të kenë vendosura maskat mbrojtëse kundër pandemisë.
Në këtë takim janë prezent deputetët e PDK-së, Bedri Hamza, Memli Krasniqi dhe Uran Ismaili. Video, nga ky takim ka qarkulluar nga kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Triumf Sadikaj.
Dy ditë më parë, Komuna e Prishtinës, përkatësisht Inspektorati kishte gjobitur me 2 mijë euro Lidhjen Demokratike të Kosovës për shkak të mosrespektimit të masave gjatë një tubimi.
Shkeljet sanksionohen në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës – neni 25, paragrafi 1.
Partitë politike kanë nisur fushatën zgjedhore ende pa nisur ajo zyrtarisht.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme priten të mbahen më 14 shkurt 2021.