Enver Hoxhaj I Foto: Kallxo.com

PDK-ja i kundërpërgjigjet Hotit për tërheqjen e njohjeve

Deputeti nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, i ka replikuar kryeministrit Avdullah Hoti lidhur me tërheqjen e njohjeve në kohën sa PDK-ja ishte në qeverisje.

Hoxhaj tha se në qeverisje nuk ka qenë e vetme PDK-ja si parti e parë, por ka pasur edhe parti të tjera.

Ai tutje ka folur se kanë qenë në dijeni për tërheqjen e njohjes nga ana e Borundit.

“Një vjet para se me u tërheq njohja e Borundit ne i kemi pasur informatat e sakta prej një vendi fqinj që Borundi do ta tërheq njohjen e Kosovës dhe e kemi nda me kryeministrin edhe me ministrin e Jashtëm edhe me presidentin, edhe me institucionet tjera. Unë mendoj që ajo qeveri vërtetë ka gabuar që s’ka pasur një strategji si të parandalonte një çështje e tillë”, është shprehur ai.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se në tri vitet e fundit Kosovës i janë tërhequr 10 njohje të shtetësisë.

Ai tha se këtë po e adreson për PDK-së, jo si akuzë por si fakt.

“Për PDK-në, nuk është pyetje veç fakt. Ne kemi mbi 10 tërheqje të njohjeve në tri vitet e fundit, nuk po e them si akuzë vetëm si fakt që ka ndodhë gjatë tri viteve të fundit. Ne e kemi ndalë një trend negativ dhe kemi sjell një njohje. Këto janë fakte”, tha Hoti sot në Kuvend.