Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK: Institucionet qëndruan indiferente kur u paralajmërua rritja e çmimit të energjisë

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka kritikuar institucionet që kanë qëndruar indiferente ndaj situatës me shumëfishimin e çmimit të energjisë elektrike.

“Kur vendet e rajonit tonë dhe Shtetet e Bashkimit Evropian filluan që të merrnin masa për të mënjanuar krizën e paralajmëruar energjetike, qeveria jonë qëndroi neglizhente dhe edhe sot e kësaj dite nuk mund ta kuptoj indiferencën të cilën e tregoi gjatë atyre muajve “, tha deputeti Tahiri.

“Fillimisht u dashtë me u ndal rryma që me udhëheq qeveria jonë. Kur u dhezë qeveria, u dhezë edhe kryeministri Kurti, KEDS-i, KEK-u, ZRrE e kush jo dhe na dhanë dy alternativa: E para shtrenjtimi 100% i energjisë dhe e dyta, reduktime sikur pas luftës 8 me 2, a 8 me 4 e kështu me radhë”, ka thënë Tahiri.

“Në janar, kryeministri i njofton qytetarët se nga shkurti kanë për ta paguar rrymën 100 për qind më shtrenjtë. Tash a duhet të futen në kredi qytetarët për të përballur koston e energjisë”, tha kryetari i grupit parlamentar i PDK-së.

Tahiri ka ftuar deputetët që në fund të debatit të miratojnë një rezolutë të harmonizuar nga të gjitha grupet parlamentare që të parandalohet  rritja e çmimit të energjisë elektrike.

Sot Kuvendi po mban seancë të jashtëzakonshme lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike, debat ky i thirrur nga PDK.