PDK injoron mesazhet e Kadri Veselit, vazhdojnë punësimet

Me t’u caktuar data për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, më 22 gusht, Partia Demokratike e Kosovës dhe kreu i saj, Kadri Veseli kanë nisur një fushatë me deklarime kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Por duket se mesazhet e Veselit kundër nepotizmit dhe punësimeve politike nuk kanë arritur ende në Ferizaj, komunë e cila drejtohet nga Agim Aliu i PDK-së.

Sot, në komunën ku qeverisë partia e Kadri Veselit, në Ferizaj, drejtoreshë e një shkolle u bë ish- asamblistja e kësaj partie, Hajrije Nebihu.

Në vendimin që e posedon KALLXO.com, ish- asmablistja e tri mandateve radhazi, Hajrije Nebihu është zgjedhë drejtoreshë në Gjimanzin “Dr. Shaban Hashani”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe vet Nebihu.

“Po, jam zgjedhë”, ka thënë shkurt ajo.

Ajo tha se ka qenë tre herë radhazi asambliste e PDK-së në komunën e Ferizajt.

Ndërsa, kur është pyetur për konflikt interesi, pasi i takonte një partie politike, ajo tha se nuk e vlerëson ashtu.

Kryetari i Komunës, Agim Aliu, nuk ka qenë i qasshëm në telefon për ta komentuar përzgjedhjen e ish-kandidates së partisë në pozitën kyçe në gjimnazin e qytetit.

Reagimi i Hajrie Nebihu pas publikimit të artikullit:

Unë nuk jam “punësuar tani”. Në sistemin arsimorë unë jam e punësuar që nga viti 1999, ku për herë të parë kam filluar si arsimtare e Gjuhës Shqipe në shkollën fillore të fshatit Greme, Ferizaj.
Në konkursin e fundit për drejtor shkolle në gjimnazin “Shaban Hashani” në Ferizaj, jam përzgjedhur në përputhje me të gjitha kriteret e konkursit. Pretendimet për nepotizëm ose korrupsion janë krejtësisht të pavërteta dhe bien ndesh me parimet e gazetarisë profesionale. Deklaroj me përgjegjësi se nuk kam asnjë lidhje familjare ose farefisnore me ata që kanë qenë përgjegjës për përzgjedhjen e kandidatit të suksesshëm për pozitën përkatëse. Për me tepër, ngritja ime në pozitën e drejtorit ka ardhur si rrjedhim i natyrshëm profesional, duke e pasur parasysh që kam filluar si arsimtare në vitin 1999, 2 vitet e fundit kam qenë zv. drejtoresh në shkollën fillore “Gjon Serreçi” dhe tani jam përzgjedhur për pozitën e drejtorit në gjimnazin “Shaban Hashani” në Ferizaj.
Ndërsa sa i përket konfliktit të interesit për shkak të kaluarës sime politike, si asambleiste e PDK-së në Kuvendin Komunal në Ferizaj, kjo është krejtësisht e pavërtetë, sepse mandatin e fundit në asamblenë komunale në Ferizaj e kam përfunduar në vitin 2013.  Ju lus të deklarohet se sipas cilit Nen, përzgjedhja ime në pozitën përkatëse paraqet konflikt interesi?
Këtë reagim nuk e kam bërë për të i’a dëshmuar të vërtetën z. Fana, por për të mos lejuar që e vërteta të mjegullohet në sytë e publikut nga shkrime të pavërteta.

Sqarim i redaksisë
Artikulli i publikuar nga KALLXO.com është informacion i konfirmuar nga burimet zyrtare dhe nuk konteston punën në të kaluarën të ish asambleistes së PDK-së. Po ashtu artikulli nuk përmend që punësimi ka ndodhur në pozitë të konflikti të interesit por përmend lidhjet politike të drejtoreshës së re me partinë që qeverisë Ferizajn.Parashtrimi i pyetjes për konflikt të mundshëm të interesit është bërë duke pasur parsysh faktin se konkursi i shpallur nga DKA për këtë pozitë është shpallur nga drejtori i cili është i emëruar nga kryetari i cili i përket PDK-së partisë në të cilën zonja ishte asambleiste.  Provat që ajo ka qenë asambleiste dhe provat që është zgjedhur drejtoreshë e shkollës janë të dëshmuara në artikull.