Abelard Tahiri - PDK, 11 tetor 2021, Foto: KALLXO.com

PDK i kërkon Qeverisë të rishqyrtojë vendimin për gazsjellësin

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rishqyrtojë vendimin për refuzimin e gazsjellësit në Kosovë.

Ai ka shtuar se për këtë temë do të mbahet edhe debat parlamentar, pasi që Kryesia e Kuvendit ta vendos në rend të ditës së seancës plenare.

“Gjithmonë alternativat janë të rëndësishme. Një grant me rreth 200 milionë dollar. Refuzimi i bënë dëm jashtëzakonisht të madh vendit… Kosova nuk e ka luksin të refuzojë një projekt të tillë”, tha ai.

Ditë më parë Qeveria e Kosovës tha se për momentin nuk është e interesuar për ndërtimin e rrjetit të gazit që do të lidhte Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Sa i përket seancës të së martës së ardhshme, Tahiri theksoi se ndër pikat më të rëndësishme është Kodi i procedurës penale.

“Ky ka qenë projektkod i miratuar në qeverisjen time. Është dokument që duhet sa më shpejtë të miratohet e të hyj në fuqi”, tha Tahiri duke shtuar se pikat tjera janë një sërë projektligjesh nga Ministria e Shëndetësisë.