Memli Krasniqi - PDK

PDK i hakmerret Hotit, nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare

Në seancën e Kuvendit të Kosovës në të cilën në rend dite janë disa marrëveshje ndërkombëtare, deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nuk do të votojnë asnjë nga pikat e rendit të ditës.

Krasniqi ia ka rikujtuar kryeministrit Avdullah Hoti marrëveshjet ndërkombëtare të cilat LDK dhe LVV nuk i kanë votuar në mandatin e kaluar.

“Sa e sa marrëveshje ndërkombëtare kanë ardhur në seanca plenare në mandatin e kaluar dhe ato nuk janë miratuar me muaj të tërë e disa nuk kanë kaluar fare, disa prej marrëveshjeve të tilla kanë ardhur edhe sot në këtë seancë, këto marrëveshje kanë mbetur peng i apetiteve politike të LDK-së dhe Vetëvendosjes”, tha Krasniqi.

Deputeti i PDK-së tha që interesi i LDK-së dhe LVV-së për marrëveshjet ndërkombëtare varet vetëm nga pozita që kanë.

“Pikërisht Avdullah Hoti ka qenë i ulur në këtë karrigen afër meje si shef i grupit parlamentar të LDK-së kur e kam ftuar që ti votoj marrëveshjet e tilla. Sot Avdullah Hoti kërkon ti votojmë ato marrëveshje, do të thotë interesimi juaj për marrëveshje ndërkombëtare është i varur vetëm nga pozita që keni”, tha ai.

Tutje në këtë seancë, Krasniqi tha se PDK nuk do të votoj asnjë marrëveshje sepse sipas tij prioritet duhet të jenë ligjet për pandeminë.

“Në këtë rrjedhojë mos prisni votë nga PDK sepse ne nuk mund të kemi qeverinë e mashtrimeve 2.0, ju duhet të sillni në kuvend në radhë të parë prioritet ligjet që i ndihmojnë qytetaret e dëmtuar në pandemi jo këto pika që i keni sjellë në rendin e ditës sepse s’keni pas pika të tjera. Ne si grup parlamentar nuk do të marrim pjesë në votim të pikave të gjithave që janë në këtë vazhdim të seancës”, tha ai.

Kuvendi është duke i vazhduar punimet për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar si dhe disa projektligje të tjera.